Ndryshimi i sistemit zgjedhor, Pano Soko: Do i drejtohemi popullit e do shkojmë në referendum. Duam të ulim numrin e rajoneve, idealja është si Kosova

Ndryshimi i sistemit zgjedhor përmes referendumit, është iniciativa e fundit e Nismës Thurje, e cila kërkon të shkojë direkt te populli për të arritur qëllimin, që është një sistem kombëtar si Kosova.

Pano Soko, Kryetar i Kryesisë Nisma Thurje ka shpjeguar sot në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço në News24 propozimin e bërë për ndryshimin e sistemit, që ka bashkuar sot në një tryezë dhe disa nga aleatët e Partisë Demokratike. Ai tha se propozimi kërkon të ulë numrin e rajoneve, teksa të shtunën do fillohet me mbledhjen e firmave nga Durrësi.

“Rruga që kemi zgjedhur, nuk është më ajo e para. Në 2020 kemi marrë një iniciativë të ngjashme për hapjen e listave. Ne zgjodhëm rrugën institucionale, ne morëm 50 mijë firma. E çuam te komisioni përkatës dhe aty u bë me hile sepse u përdor hapja e listave, le që hapja nuk u bë e plotë, por u bë me këtë herësin e tmerrshëm. U përdor hapja e listave për të hequr koalicionet.
Ne nuk do të shkojmë fare te këta, do të shkojmë te populli. Pronari i këtij vendi është populli. Është populli ai që përcakton”, tha Soko.

Por sa realisht Kushtetuta jonë na e lejon mundësinë për një referendum?
“Me ndryshimet kushtetuese që ndodhën, praktikisht do duhej që të amendohej dhe me një ligj të ri për referendumin. Por dispozitat e vjetra na mundësojnë një shteg për referendumin. Ligji për referendumet është një domosdoshmëri akute, por sot mund të përdorim dispozitat e vjetra ligjore. Pse do shkojmë te qytetarët sepse ne besojmë se sistemi në këtë vend nuk i takon ca njerëzve, u takon qytetarëve. Janë ata që do ta dizenjojnë skemën e demokracisë që duan ata. Janë ata të cilëve iu përket ky vend”, theksoi Soko, raportoi “”.

Ai tha më tej se ne kemi një problem shumë të madh dhe se popullit ia hoqën nga dora mundësinë për të ndryshuar kushtetutën.
“Kemi sot sistemin proporcional rajonal me lista të hapura. Këta e kanë kushtëzuar në 2008 në Kushtetutë. Të drejtën për të ndryshuar Kushtetutën e kishte populli, këta thanë jo nuk merr vesh populli, të drejtën për të ndryshuar Kushtetutën e ka parlamenti se populli nuk merr vesh. E marrin vesh këta që janë në parlament. 70% të tyre nuk i njoh fare dhe vetëm këta e kanë në dorë. Popullit ia hoqën nga dora. Popullit i thanë ti vetëm do paguash taksa, do bindesh, do bësh çfarë të themi ne, por për të ndryshuar gjë nuk e ke në dorë. Jo zotëri, kjo gjë do ndryshojë dhe do fillojë nga sistemi zgjedhor. Ne kemi kryetarokraci pas 2008, kemi një individ”, u shpreh Soko.

Ai tha më tej se duhet të bindim qytetarët, të cilët nuk kanë hallin e sistemit elektoral, por se si do të shtyjnë muajin.

“Ne do të shkojmë për t’u shpjeguar qytetarëve se çmimet që kemi sot janë sepse askush nuk e vret mendjen për ta, sepse ata që janë në krye janë të fortë e nuk tremben nga qytetarët, të tillë i ka bërë sistemi.
Rama tha dilni edhe 500 mijë persona në protestë taksat nuk ndryshojnë, ku e gjen këtë besim? Te sistemi. Ajo që ne propozojmë, idealja që kërkojmë është ikja nga sistemi proporcional rajonal me 12 rajone dhe dalja me 4 ose më pak zona zgjedhore. Ne kërkojmë më fakt kombëtarin, por për shkak se duhet të ndryshojmë Kushtetutën, ne duhet të ulim numrin e rajoneve. Sot kemi një fenomen ku një parti merr më shumë deputetë se sa vota ka. Sot PS ka 48 % të votave, por ka 53 % të Parlamentit. Si erdhi kjo?
Këto mandate tepër u morën tek partitë e tjera që duhet të përfaqësoheshin në parlament, por për shkak të sistemit nuk hynë dot. Një na e morën ne. PD nga ana tjetër ka përfituar pjesën e saj. Natyrisht raporti është 1 me 2. Ndaj ata nuk janë të interesuar ta hapin këtë debat, prandaj dhe nuk shkojmë te Komisioni i Reformës Zgjedhore. Ne do i drejtohemi popullit e do shkojmë në referendum. Do pyesim popullin, a e do këtë sistem siç është apo do ta ndryshojë, a e do garën apo e do të mbyllur”, tha Soko.

Sipas tij, idealja është si Kosova. “Ne kemi proporcional rajonal. Në Spanjë kemi kastiljanë, baskë, katalonjas, kemi disa grupe dhe për t’i përfaqësuar sa më mirë këto rajone, kanë zgjedhur sistem rajonal. Këtë ka bërë dhe Zvicra. Këtu pse duhet të ndahet e gjithë Shqipëria. Nga Vermoshi në Konispol jemi një popull, kemi të njëjtat halle. Pse duhet të ndahemi, ne jemi sa një qytet i Spanjës. Kjo është pa sens praktikisht. Kjo u përdor sepse nëpërmjet rajoneve arrijnë të kontrollojnë votat. Përmes copëzimit vendos një kapo në krye ta rajoneve dhe ai kapo të rregullon votat.
Nëse do ta bëjmë kombëtar, këta drejtuesit politikë s’ka më. Sepse votat janë nga Konispoli në Vermosh. Prandaj duhet të hiqet proporcionali rajonal. Kur të shkojmë te populli do i shpjegojmë të gjitha”, tha ai.

Sipas tij, ky sistem bëhet për të frenuar frymën e re, hyrjen e personave të rinj në politikë.
“Prandaj kanë rënë dakord me këtë. Tani është njëherë unë, njëherë unë, s’ka më.
Zgjedhjet janë të ndershme, i hoqi qafe zoti Rama. Tani i bëri dhe të palira, këtu është hilja që zgjedhjet i fitoj njëherë unë, njëherë unë. Kosova ka këtë sistem siç ne e propozojmë”, tha ai.

Arena e Lajmit


Ndryshimi i sistemit zgjedhor, Pano Soko: Do i drejtohemi popullit e do shkojmë në referendum. Duam të ulim numrin e rajoneve, idealja është si Kosova

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook