Deputetja Flutura Açka, në fjalën e saj në Kuvend ka kritikuar ashpër qeverinë Rama, duke e akuzuar për korrupsionin në vend.
Gjatë fjalës së saj Açka i bëri thirrje drejtësisë, të merret me korrupsionit dhe të guxojë t’i afrohet njerëzve të pushtetit.
“Prokurorë ndihmojeni shtetin, por jo duke i ardhur rrotull oborrit të korrupsionit. Merruni me princërit e vërtetë dhe guxoni t’i afroheni mbretërve të korrupsionit. Mos kërkoni që shqiptarët të bëjnë edhe pagesën e frikës për ju. Ngrihuni në lartësinë e duar. Mbase kërkojmë shumë të themi se duam standarde europiane të drejtësisë, por shihni rastin e Kroacisë”, tha ajo.
Ndërkohë në raportimin e tij në Kuvend, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani u ndal tek shqetësimi i ekstradimit të personazheve të njohur të botës së krimit që fshihen në Dubai.
“Problematikë është mungesa e ekstradimit të eksponentëve të krimit të organizuar kryesisht nga Emiratet Arabe. Është një problematikë që ka vënë në vështirësi hetimet sa i takon përballjes së autorit të veprës penale në sallën e gjyqit. Procedurat e ekstradimit vijojnë. Deri tani nuk kemi marrë asnjë refuzim por nuk kemi asnjë të ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha drejtuesi i SPAK.
Fjala e plotë e deputetes Flutura Açka:
SPAK-u, Rreth i Dhjetë i Ferrit
Gjatë vitit 2017, tek shkruaja romanit tim të radhës “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë” e ku jam marrë edhe me politikanët keqbërës të tranzicionit shqiptar (dikush thotë se janë vetëm 10% që molepsin edhe pjesën e mbetur!), u rreka të gjeja emrin e një vendi ku t’i degdisja ata, të themi, një lloj torture morale, një formë ndëshkimi publik, ngaqë i kishin tradhëtuar shqiptarët në ëndrrën e tyre për ta bërë Shqipërinë si e gjithë Europa.
Kështu subkoshienca, mjeti i zejes sime më çoi te koncepti i Rrethit të Dhjetë të Ferrit, burgun e vuajtjes së mëkatit që nuk gjenden as në trojet biblike, as në ato të “Ferrit” të Dantes, nëpër nëntë rrathët e të cilit njerëzit ndëshkohen sipas një mëkati të vetëm që kanë e ku mbetet ende një veshtulli njerëzore.
Aty në Rrethin e Dhjetë do të ishte vendi i politikanëve keqbërës me kompleksin e mëkateve, fajeve e veseve, me të tillë model makiavelist që shkel çdo kod, kur e moralshme është të vjedhësh, kur e ndershme është të korruptosh, kur e pranueshme është të dhunosh e kur e duatrokitshme dhe e votueshme (edhe me vota të vjedhura) është që njëherësh të vjedhës, të korruptosh, të dhunosh, të tallesh e të bullizosh individë e komunitete. Të mos flasim pastaj për seksomaninë akute që të jep pushteti.
Kështu, në të vërtetë, pa e ditur as vetë unë kisha bërë thirrjë për një institucion të lartë skanimi moral e politik e njerëzor, i cili mungonte ndër shqiptarë, dhe që si për ta përmbushur profecinë time do të thirrej shumë shpejt SPAK, një filtër që do të pastronte politikën shqiptare përmes drejtësisë, të cilën Aristoteli e quan “Politika e politikave.” Kështu i nderuar z. Dumani, në portën e rrethit të dhjetë të Ferrit, me emrin SPAK, ju nuk jeni as Shën Pjetri me çelësa në dorë, as rremtari i varkave nëpër Akeron, as shqytari që mban gijotinën, por ju jeni zëdhënësi i vullnetit tonë për drejtësi. Ju jeni drejtësia jonë e munguar. Sepse, për shkak të këtyre politikanëve keqbërës në këto tridhjetë vite, ne nuk kemi bërë shtet. Dhe me po atë thirrje të aktit të parë të Hamletit: “Something is rotten in the state of Denmark”, ju kujtoj publikisht: I nderuar, z. Dumani, të nderuar prokurorë të SPAK-ut, diçka është thyer në shtetin e Shqipërisë!
Dhe është në barrën tuaj ta gjeni atë thyerje, dhe është në barrën tonë politike ta riparojmë atë thyerje, dhe është në barrën e shqiptarëve të na e kujtojnë detyrën përditë, edhe juve, edhe neve.
Dhe duhet ta bëjmë këtë para se të na ikin të gjithë shqiptarët nga Shqipëria. Sepse, mes dhjetëra arsyeve të ikjes së tyre, ka një arsye që i mërzit ata me vendin e tyre: Vakumi i së drejtës, ose pandëshkueshmëria, siç thuhet rëndom.
Para se të drejtoj gishtin te ju, nëse e keni bërë mirë apo keq punën tuaj, po e nis nga këtu në Parlament, ku shpesh na pëlqen ta ndajmë politikën nga morali, nga etika, nga turpi, nga higjiena politike. Këto janë simbioza që ne i kemi shqyer ndonjëherë të infektuar nga e pamoralshmja, nga joetikja, nga paturpësia dhe mungesa e higjienës politike. Të më falin disa kolegë shumë të nderuar, njohjen me të cilën këtu e kam quajtur privilegj. Ata nuk përfshihen në këto rreshta. Unë po flas për atë pjesë që i shërben bandës me pushtet, duke na kthyer edhe neve vetë në pjesë të saj, qoftë edhe si spektatorë.
A nuk kemi kaluar ne këtu ligje nominative për koncensione, për ulje taksash, kur të gjithë e kemi ditur se cilët oligarkë po dorovisim? A nuk i kemi vënë ne ligje të caktuara në shërbim të kompanive të caktuara të miqve tanë?
A nuk e kaluam këtu me një të rënë të lapsit Portin e Durrësit, edhe pse do ta kthejë Durrësin në Dubain e ri, e mbi të gjitha në kryeqendër europiane prostitucioni e droge, ja mu si ai Dubai që e tronditi me karkasat e shndritshme që fshihnin ngrehinat e zbrazura edhe vetë të ndjerin Berluskosni, i cili, edhe pse një nga njerëzit më të pasur të Italisë, nuk mundi dot kurrë as ta ëndërronte ta bënte ndonjë këtë në ndonjë cep të Italisë së tij antike. Sepse antikitetin nuk e konkurron asnjë lloj moderniteti, qoftë edhe kamnor. A nuk u kemi dhuruar ne këtu me vota primitive Butrintin miqve të pushtetit, mes të cilëve edhe ca antishqiptarëve të rafinuar, pa u shqetësuar fare se shumë shpejt ne shqiptarët do ta gjejmë veten në historinë e shkruar nga sharlatanë dhe profanë si një çetë kaçakësh në origjinë bastarde, mu siç na dizenjojnë armiqtë.
Pasi edhe lahutën ua falëm sllavëve, me iso-polifoninë dorovitëm grekët, fjalën “Besa” e deformuam në muze për hebrenjtë edhe pse gjakon vetëm me fenomenin e gjakmarrjes si pjesë e identitetit tonë të patjetërsueshëm?
A nuk e shitëm ne bregun e shqiptarëve për investitorët strategjikë dora vetë miqtë tanë, për oligarkët e trojeve 1 euro, a nuk i shesim me një lehtësi të papërballueshme tokën e shqiptarëve, ujërat e shqiptarëve, rërën e shqiptarëve, liqenet e shqiptareve, guroret e shqiptarëve, pyjet e shqiptarëve? A nuk jemi ne këtu në Parlament e Qeveri, të majtë e të djathtë, që pasi i kalojmë paratë me projektligje që i kthejmë në ligje, ua ndërrojmë gjatësinë tuneleve dhe i çajmë ato në majë të malit për t’i bërë më të shkurtëra e për të vjedhur paratë, apo ua lëvizim gjurmën rrugëve të projektuara që t’i afrojmë ato me qendrave tregtare të oligarkëve tanë? Po ç’bëni, ju zotërinj prokurorë, me këtë anumeracion të së keqes? Ç’bëtë ju me sistemin e patronazhimit? 900 mijë shqiptarë janë përgjuar deri te fryma, deri te shtrati, deri te sëmundjet personale e zënkat me fqinjët. Çfarë bëtë ju për ta sjellë në vend dinjitetin e tyre? Asgjë, ju e shitën çështjen e patronazhistëve diku tjetër për moskompetencë. Se nuk po flas për Aktivistin.
Ç’bëtë ju zotërinj me dosjet 184 dhe 339 të zgjedhjeve të 15 prillit 2021? Asgjë, e shitët atë si një gjë shumë e vogël për t’u marrë ju të mëdhenjtë, edhe pse bandat kriminale bënë kërdinë cep më cep të Shqipërisë me solidaritet të plotë me shtetin?
Nuk di në ka ndonjë gjë më të madhe në këtë vend se të prekësh vullnetin e popullit në demokraci? Nuk ka pra, jo!
A mund t’ua thoni shqiptarëve nëse ia dini rrënjët dhe degët burimeve të financimit ndonjërës prej këtyre kullave të larta që keni para syve? Prokuroria italiane jua dha me zë e me shkrim përfshirjen edhe të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës nëpër allashverishe me Ndragetën. Por ju nuk e prekni dot atë, e para, sepse ai është Banka e Partisë Socialiste, pra banka e pushtetit, por edhe sepse eshtë eksponenti më korruptues që ka njohur shteti shqiptar në 100 e kusur vite të tij. Ju nuk guxoni ta prekni atë as për çështjen e incineratorëve, edhe pse edhe bufi e di rolin e tij në vjedhjen që i bëhet çdo ditë qytetarëve të Tiranës për plehra që nuk digjen kurrë. Nuk e prekni, sepse siç i tha taksistit një kolegu juaj i mbetur peng në trafikun e tmerrshëm një natë shiu në Tiranë, nuk e prekni dot “kryeministrin e ardhshëm shqiptar”, siç ia ka mbushur ai mendjen vetes dhe mjedisit që e rrethon. Ju i shërbyet atij në këtë ambicje duke ia hequr qafe sfidantin e tij më të madh, siç do t’ia hiqni edhe ndonjë sfidant a sfidante tjetër kur të vijë puna.
Lexoni shkrimin e fundit të Reporter-it të shihni gjëmën ekologjike që po i ndodh lumit të Erzenit dhe të gjithë territorit që lag ai prej landfillit të Sharrës deri në det. Nga të mbjellat e vaditura nga ato ujëra ushqeheni edhe ju, zotërinj prokurorë!
Ndihmojeni, pra, shtetin që të mos e korruptojë shtetin. Por bëjeni këtë jo duke i ardhur rrotull oborrit të korrupsionit e duke investiguar dhe hapur dosje për kundraxhinjtë dhe portierët e pallatit, ose për ca oborrtarë periferikë, por merruni me princërit e vërtetë ose guxoni të merreni me mbretin e korrupsionit. Ju siguroj se ju del dhe ju tepron çështja McConigal, për të cilën, për arsye të ditura botërisht, ju keni heshtur si vdekja.
I keni të gjitha privilegjet që shqiptarët mund t’ua garantojnë, e keni të gjithë pushtetin e mundshëm. Por shqiptarëve që ju kanë dhënë këtë privilegj, mos u kërkoni të bëjnë për edhe Pagesë e Frikës për ju. Ngrihuni në lartësinë e përgjegjësisë për të cilën jeni mandatuar, duke mos harruar se “mishi juaj mund të ketë frikë, po ju kurrsesi jo!”, siç thotë diku Borhesi. Mbase kërkojmë shumë të themi se duam standarte europiane të drejtësisë, por ama nuk mund të jemi bishti në rajon, siç ka ndodhur deri tani. Mjafton shembulli i Kroacisë, Bosnjës, Bullgarisë, Rumanisë, edhe Maqedoninë e Veriut po deshët ku dy kryeministrave iu qendis tatuazhi i korrupsionit nga drejtësia funksionale.
Që të mos flas pastaj për Kosovën që po bën shtet europian, sepse po ta kujtoj atë, iu bie të fikët këtyre këtu, ngaqë u kujtoj turpërimin që Kosova iu bëri me refuzimin e “Open Ballkan”, për të cilin mu në këtë foltore u kanë shitur aq rrena shqiptarëve, sa e hodhën edhe vetë në kosh nga turpi, që të mos iu gdhendet si turp historik.
()