Avokati Arbër Hoxha, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, foli për situatën kriminale në vend, ku e quajti alarmante, marrë shkas nga atentati për herë të tretë ndaj Gentian Bejtjas në Krujë, dy ditë më parë.
Hoxha u shpreh se duhet të ketë një strategji kombëtare për të luftuar krimin e organizuar, teksa shtoi se puna e prokurorisë dhe policisë lë për të dëshiruar, në lidhje me parandalimin dhe zbardhjen e rasteve.
“Opinioni publik është tronditur. Situata kriminale në vend është alarmante. Puna e Prokurorisë dhe policisë të lë shumë për të dëshiruar. Para se të ndodhë fakti penal, policia bën një punë që të lë për të dëshiruar. Po ashtu dhe në faktin pas kriminal. Parandalimi të lë shumë për të dëshiruar, pasi mund të jetë një kombinacion i neglizhencës ose s’kemi mjetet e duhura. Ne jetojmë në një komunitet të vogël dhe shërbimi informativ shtetëror dhe mund të bëhet një punë parandaluese. Ne kemi dhe satelitin, por nuk është i mjaftueshëm. Nëse do i referohemi republikës italiane, autorët e dyshuar janë në vëzhgim prej vitesh, ndërkohë këtu nuk ndodh. Jetojmë në një shtet postdiktatorial. Po të marrim shembullin e vendeve baltike që kanë dalë nga Bashkimi Sovjetik, dhe krahasojmë stadin e tyre zhvillimor, ne jemi shumë vite pas.
Duhet të ketë një strategji kombëtare për të luftuar krimin e organizuar. Duhet të bëhen ndryshime në legjislacion, dhe duhet të shtohen Prokuroritë”, u shpreh avokati.