Klubi i Milanit kërkon me çdo kusht që të bëjë afrime në vijën e parë të sulmit, ku vetëm Zhiru dhe Leao qartësisht nuk mjaftojnë, siç u kuptua mirë në edicionin që u mbyll. Kuqezinjtë duket se kanë kthyer sytë nga një emër i njohur, sulmuesi i Italisë, Xhanluka Skamaka. Por plani i tyre është prishur nga Divok Origi.
Sulmuesi belg la shumë për të dëshiruar në vitin e tij të parë si kuqezi dhe nuk përmbushi në asnjë moment pritshmërinë që kishte për të. Ndaj në klub mendohet tashmë largimi i tij për t’u zëvendësuar me një tjetër lojtar që ka treguar se mund të bëjë mirë në Itali.
Skamaka kërkon të kthehet në Serinë A pasi nuk ia doli të linte shenjë të Uest Hem në Premier Ligë dhe sipas “Sky Sport”, Milani i propozoi anglezëve një “paketë” që përfshin para dhe shkëmbim me Origin. Por bisedat janë ndërprerë menjëherë në këtë aspekt, pasi i njëjti burim thekson se belgu nuk ka dëshirë të largohet nga Milani, duke prishur planet e merkatos së klubit italian./ Panoramasport