“Sekuestro e ndërtimeve pa burim parash të provuara”, Tabaku çon në Kuvend ndryshimet ligjore: Shqipëria në listën gri të parave, nëse keni vullnet votojeni

Deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka kërkuar ndryshime në ligjin nr. 107/2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”, ku kërkon që të bëhet sekuestro e ndërtimeve për të cilat ndërtuesi nuk provon dot burimin e parave që investon.

Pra, në thelb të deklarohet burimi i parave që investohet në ndërtim. Këto propozime janë diskutuar sot në Komisionin e Ligjeve, teksa ka pasur kundërshti nga ana e mazhorancës.

Sipas propozimit të deputetes së PD në nenin 42 bëhen shtesat me përmbajtje si më poshtë:
Në pikën 2, pas fjalisë së parë, shtohet fjalia e dytë:
Krahas deklaratës, subjekti ka detyrimin që të paraqesë një raport të detajuar të të ardhurave. Raporti duhet të përmbajë totalin e vlerës së investimit të kryer dhe totalin e të ardhurave të përdorura për realizimin e ndërtimit, të specifikuar sipas zërave të përshkruar në nenin 43, pika 2/1 të këtij ligji. Subjekti ka detyrimin të justifikojë burimin e ligjshëm të të ardhurave.

Pas pikës 2, shtohet pika 2/1:
2/1. Në rast se subjekti nuk arrin të provojë burimin e ligjshëm të të ardhurave për një pjesë apo për të gjithë ndërtimin e realizuar, autoriteti përgjegjës vendos konfiskimin e ndërtimit në raport me pjesën që rezulton e pajustifikuar me burime të ligjshme. Në këtë rast, autoriteti përgjegjës mund të lëshojë certifikatën e përdorimit vetëm për atë pjesë të ndërtimit që rezulton e justifikuar me burime të ligjshme. Në përcaktimin e pjesëve që konfiskohen dhe ato për të cilat lëshohet certifikata e përdorimit, autoriteti merr parasysh të drejtat e fituara nga palët e treta me mirëbesim.
Neni 3
Në nenin 43, pas pikës 2, shtohet pika 2/1 me përmbajtje si më poshtë:
2/1. Aplikimi për leje ndërtimi duhet të përmbajë detyrimisht një raport të të detajuar të të gjitha të ardhurave që do të përdoren për realizimin e projektit. Raporti duhet të përmbajë në mënyrë të detajuar totalin e vlerës së investimit të planifikuar për realizimin e projektit, të ardhurat e disponueshme të subjektit, të ardhurat që do të sigurohen nga huatë, kreditë bankare, kontratat e shitjeve, kontratat e shkëmbimit dhe nga burime të tjera, me kusht që ligjshmëria e këtyre të ardhurave të provohet përpara lëshimit të certifikatës së përdorimit, sipas nenit 42, pika 2 të këtij ligji.

Neni 4
Në nenin 44, pika 1, pas fjalisë së parë, shtohet fjalia e dytë me përmbajtje si më poshtë:
Autoriteti përgjegjës verifikon nëse subjekti ka dorëzuar raportin e detajuar të të ardhurave për realizimin e projektit dhe ligjshmërinë e burimit të të ardhurave. Për realizimin e këtij verifikimi, autoriteti përgjegjës mund të ndihmohet edhe nga organe publike të specializuara. Mungesa e raportit dhe justifikimit të burimit të të ardhurave përbën shkak të ligjshëm për refuzimin e aplikimit për leje ndërtimi.

Prezantimi i projektligjit nga ana e deputetes Jorida Tabaku
Tabaku deklaroi gjatë prezantimit të projektligjit se në mënyrë specifike në 4 nenet kërkon që krahas deklaratës që subjekti që ka detyrimin të paraqes një raport të detajuar të të ardhurave, ky raport tek njësitë e pushtetit vendor duhet të përmbajë totalin e vlerës së investuar dhe totalin e të ardhurave të përdorura për realizimin e ndërtimit.

“Nuk është detyrë e Agjencisë, nuk e kërkoj në asnjë hap të propozimit tim që të përfshihet, Agjencia jep leje për struktura akomoduese për ndërtime të cilat janë të një kapaciteti tjetër, kjo është një çështje tjetër.
Unë i referohem këtu kompanive të ndërtimit të cilat në 141 raste ku kanë marrë leje ndërtimi, në masën 59% të tyre nuk i kanë burimet financiare për realizimin e projekteve dhe në 60% të vlerës së ndërtimeve mendohet që vijnë nga paratë e pista, duke ju referuar raporteve ndërkombëtare.
Këto kompani që paguajnë 8% maksimumi të vlerës si pjesë e taksës së infrastrukturës, vetëm kjo është vlera formale zyrtare që paguhet sot me sektorin bankar. 92% e vlerës së një ndërtimi që shkon deri në 2500-3000 Euro sot është jashtë sektorit bankar dhe ne këtë duhet ta rregullojmë”, tha Tabaku.

Sipas saj, kjo nuk është asnjë çështje teknike, nuk është asnjë çështje kompetencash të agjencive, por është një çështje politike dhe unë kam propozuar dy ndryshime.

“Kompanitë e ndërtimeve duhet patjetër që përpara se të marrin lejen tek autoriteti përgjegjës për lejen, nga pushteti vendor, duhet të mbartin detyrimin për të verifikuar dorëzimin e raportin e ligjshmërisë së burimit të të ardhurave. Për këtë qëllim autoriteti mund të kërkojë dhe ndihmën e organeve të tjera të specializuara, në këtë rast DPPR. Mosdorëzimi i raportit dhe paaftësia e subjektit për të justifikuar të ardhurat do të përbëjë shkak të ligjshëm për refuzimin e lejes së ndërtimit.
Ku është problemi këtu? Do të thoshit juve disa vite më parë, ku është problemi lidhur me kompetencat e pushtetit vendor kur unë kërkoj që ato të deklarojnë burimin e parave, që mos të futen në ekonomi para të pista?
Momenti i dytë kur unë kërkoj që pushteti vendor të ndërhyjë është kontrolli kur subjekti kërkon të pajiset më certifikatën e përdorimit”, tha ajo.

Sipas Tabakut, subjekti ka detyrimit që krahas deklaratës së përputhshmërisë të paraqesë dhe raportin e detajuar të të ardhurave.

“Kjo përfshin vlerën totale të investimit, totalin e të ardhurave të përdorura duke specifikuar dhe zërat konkret të të ardhurave që janë marrë me kredi, me hua, me kontrata kleringu, pra se kush ka qenë burimi i tyre i të ardhurave. Subjekti ka detyrimin që të justifikojë ligjshmërinë e të ardhurave të përdorura për realizimin e ndërtimit.
Unë nuk e besoj që ka individë në administratën publike shqiptare, ka sektorë që refuzon që kjo të ndodhi.
Kjo është një çështje vullneti politik! Ligji që ne kemi propozuar me ndryshimet nuk i prekin kompetencat e asnjë institucioni, as nuk e prekin kompetencën e pushtetit vendor.
Znj. Felaj ngriti herën e kaluar çështjet që lidheshin me qëllimin e ligjit. Një ndër qëllimet e këtij ligji, pra ligjit për rregullimin e territorit, është sigurimin i zhvillimit të qëndrueshëm të territorit, por njëkohësisht vlerësimit të potencialit aktual për zhvillimin e territorit duke bashkërenduar garantimin e kushteve të sigurimit të jetës, të rendit publik dhe sigurisë kombëtare.
A ka sot cenim më të madh të sigurisë kombëtare se pastrimi i parave? A ka sot cenim më të madh të sigurisë kombëtare se të thuash se 60% e të ardhurave që vijnë në ndërtim, firmat e ndërtimit nuk i kanë? Kjo nuk i prek kompetencat e pushtetit vendor dhe nuk i prek kompetencat e Agjencisë, as Drejtorisë.”, tha deputetja e PD.

Tabaku theksoi se kjo i jep mundësi Drejtorisë për të ushtruar më mirë veprimtarinë e saj dhe pushtetit vendor të marr informacion dhe të verifikojë.

“Çfarë ka bërë më shumë qeveria shqiptare me VKM-më që ka sjellë për ndërtimet pa leje për katet shtesë pa leje? Refuzon që t’ia regjistrojë atyre, ia konfiskon atyre me një VKM, pa u bërë ligj. Kurse ne po kërkojmë që kjo gjë të formalizohet me një proces ku pushteti vendor kontrollon burimet e financimit.
Kam votuar ligje në kuadër të Konferencën Ndërqeveritare për këtë çështje se Shqipëria duhet të dilte nga lista gri e pastrimit të parave. Çfarë kanë sjellë nga praktika, si po zbatohen sot, ligji për personat ekspozuar politikisht, për pronarët përfitues? A kanë sjellë ndryshime sot në praktikë?
Këto çështje duhet të na bashkojnë, jo t’na ndajnë! I qëndroj ndryshimeve të mia, nuk dua të copëzohen as të ndahen, pasi ligji e ka mundësinë t’i akomodojë. Kam vullnetin nëse këtu, pasi jeni të gjithë juristë, sillni ndryshime për ta përmirësuar nga pikëpamja juridike, jam e gatshme!
INSTAT thotë që numri i kompanive të ndërtimit është shtuar me 17% por të ardhurat në sektorë janë rritur me 3 miliardë, ndërkohë që të ardhurat e kompanive vetë kanë rënë nga 18.6% në 11%, sepse nuk deklarojnë kompanitë, pra ka një sistem informal dhe është një ndër tre sektorët me risk për sa i përket pastrimit të parave.
Z. Majko, mos i kërkoni opozitës gjëra që nuk mund t’i bëjë dhe ta vendosni me shpatulla pas muri për të votuar ligjet e juaja. Po të bëj një sfidë, hajde voto ligjin tim! Votoj sepse këtu nuk zhvillohet Konferenca e Dytë Ndërqeveritare për Shqipërinë vetëm sepse sot Shqipëria është në listën gri të parave. Nëse ke vullnetin hajde votoje, unë bie dakord me të gjitha sugjerimet e juaja ligjore, por i qëndroj kësaj nisme sepse besoj se kjo është mënyrë më e mirë për ta luftuar këtë fenomen”, tha Tabaku.

Në ndërhyrjen e tij kryetari i Grupit të PD, Gazment Bardhi, tha se kjo është një nismë që synon parandalimin e parave të drogës e të krimit në sektorin e ndërtimit.

“E para njëherë unë se kuptoj gjithë këtë nxitim që ju keni. Nxitimi nis qe nga rendi i ditës që ju bëni, ndërkohë kjo është një temë që do të na mbajë këtu nga mëngjesi deri në darkë, mundësisht me javë të tëra për t’i dhënë zgjidhje. Ju iniciativa kaq të rëndësishme i fusni në rend dite me 10 pika, e pastaj thoni shpejt se na mbaroi koha.
E dyta, unë nuk thash të përmirësojmë iniciativën e koleges. Kolegia ka sjellë një iniciativë shumë të mirë që nuk ka nevojë fare të përmirësohet. Ka disa shqetësime që u ngritën nga ju, si justifikim që qëllimi është i mirë, por kemi ca probleme me mjetin. Në fakt keni vetëm një problem që nuk doni ta luftoni pastrimin e parave, se po të donit u kishit thënë këtyre kryetarëve të bashkive t’i verifikonin se e kanë për detyrë edhe sot ta bëjnë atë lloj gjëje.
Jo vetëm nuk verifikojnë por lejojnë me paratë e trafikut të drogës të shtohen edhe nja 7 apo 17 kate të tjera m’u në qendër e në mes të Tiranës dhe mbyllin sytë. Ajo që unë thash është, kush ka propozim shtesë kësaj, bën amendamentet. Nuk është me ndihmu Joridën, se s’ka nevojë Jorida me e ndihmu asnjëri prej jush. Kjo është detyrë që ju e keni, se për këtë paguheni, për të përmirësuar legjislacionin, se kot nuk na e thotë ligji këtu”.

Arena e Lajmit


“Sekuestro e ndërtimeve pa burim parash të provuara”, Tabaku çon në Kuvend ndryshimet ligjore: Shqipëria në listën gri të parave, nëse keni vullnet votojeni

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook