Ish-kryeministri, Sali Berisha ka reaguar pas fjalimit të kreut të qeverisë Edi Rama në lidhje me votimin e sotëm në Kuvend, pasi mazhoranca e i dha lejen SPAK që të arrestojë Arben Ahmetajn.
Berisha u shpreh në Facebook se Rama foli i tmerruar dhe pranoi me heshtje se qëndron prapa “aktit të turpit historik, arratisjes së shekullit së Arben Ahmetaj”.
Sipas tij Rama mbajti para shqiptarëve me një fjalim në të cilin përdori “çdo fjalë ordineri”, por nuk guxoi të shqipërojë asnjëherë të vetme “arratisjen e zëvendësit të tij Arben Ahmetaj”, të cilën Berisha e cilësoi si arratisjen e shekullit dhe ngjarjen më të turpshme në historinë e shtetit shqiptar.
Postimi i plotë:
Edi Rama foli i tmerruar!
I tmerruar dhe në panik nuk shqipëroi as edhe një herë fjalën “djegësa” dhe “arratisje” në fjalimin e tij.
Të dashur miq, Edi Rama pranon me heshtje se qëndron prapa aktit të turpit historik, arratisjes së shekullit së Arben Ahmetaj. Një fjalim të mbushur me mashtrime coprolali për opozitën dhe hipokrizi demagogji për rilindasit e tij hajdutë, me një zë që i dridhej dhe mekej në thellësi, Edi Rama mbajti para shqiptarëve me një fjalim në të cilin përdori çdo fjalë ordineri, përdori çdo ‘unë’ mburraveci frikacak, por nuk guxoi të shqipërojë asnjëherë të vetme arratisjen e zëvendësit të tij Arben Ahmetaj, arratisjen e shekullit, ngjarjen më të turpshme në historinë e shtetit shqiptar, talljen më të madhe me ligjin dhe drejtësinë e një vendi, e cila në vehte përbën dhe krimin më madhor të zëvendësit rilindas hajdut të qeverisë Rama. Edi Rama në fjalën e tij shau me gjuhë ordineri opozitën e cila zbërtheu para shqiptarëve aferën e tmerrshme të djegsave, si ndërmarrje private të tij. Por ai nuk tha një fjalë të vetme për arratisjen e Arben Ahmetaj nga Shqipëria sepse ai është urdhër-dhënësi i arratisë. Ai nuk përmendi dhe nuk dënoi arratinë e Arben Ahmetaj dhe si një apel për anëtarët e e tjerë të organizatës së tij kriminale, por edhe shteg për veten e tij. Në rast se i kërkon drejtësia duhet ndjekur shembullin e Ahmetaj.
Por në fjalën e tij drejtuar rilindasve hajdutë, Edi Rama nuk shqipëroi as dhe një herë të vetme fjalën incenerator apo djegësa sepse për çdo shqiptar është bërë përfundimisht e qartë se djegesat jane megafera korruptive e shekullit prej 720 milion eurove, nga e cila Rama dhe qeveria e tij dolën lakuriq si organizatë kriminale e mirëfilltë dhe u qartësua si në dritën e diellit se Zoto dhe Mërtiri nuk janë gjë tjetër veçse të punësuar në ndërmarrjen private të djegsave të Edi Ramës, Engjëll Agaçit dhe Erion Velisë. Rama i tmerruar nuk guxoi të shqipërojë një fjalë për djegesat sepse e dinë se ne rast se flakët e tyre përcëlluan Arben Ahmetaj, do të shkrumbojnë dhe kthejnë në hi karrierën e tij politike.