Facebook, Instagram, Whatsapp dhe tashmë Threads, janë vetëm aplikacionet kryesore që kompania e Mark Zuckerberg, Meta, zotëron me sukses duke e shkruar historinë që prej vitit 2004 ku nga hollet e Cambridge u lançua versioni i parë i Facebook.
Megjithëse të suksesshëm ndër vite, asnjë aplikacion nuk ka patur rritjen e Threads, i cili ka arritur 30 milionë përdorues në 24 orët e para të lançimit dhe 100 milionë përdorues në vetëm 5 ditët e para të lançimit. (BBC News). Rikujtojmë që iu deshën Netflix 3 vite e gjysmë për të arritur 1 milionë përdorues, Facebook 10 muaj, Instagram 2 muaj e gjysmë, ChatGPT 5 ditë dhe Threads vetëm disa orë.
Pavarësisht se Threads duket të jetë një kopje e përmirësuar e Twitter, vihet re se përdoruesit kanë gjetur veten në të menjëherë. Kjo edhe për shkak të metodës së përdorur nga Meta, ku çdo përdorues i Instagram e ka thjeshtësisht të mundur të lidhë llogarinë e tij në Instagram me një llogari në Threads. Madje, pavarësisht nëse jeni të regjistruar në Threads apo jo, kompania ruan të rezervuar username-in tuaj të Instagram, për llogarinë në Threads dhe në momentin e krijimit të llogarisë të gjithë ndjekësit e Instagram eksportohen në Threads.