“Fjalimi i Ramës dhe optimistët e paepur”, Genc Pollo: Nga arratisja e Ahmetajt te fajin e ka opozita, 5 çështjet ku spikati

Nga Genc Pollo
Fjalimi i Ramës dhe optimistët e paepur
Hiq refrenin vetëmburrës fjalimi i Ramës spikati në pesë çështje:
1- Jo më krenar!
Nuk përsëriti, si shpesh herë më parë, se “ishte krenar për inceneratorët” dhe se po të ishte para vendimmarrjes për to “edhe njëqind herë do të bënte fiks të njëjtën gjë. Optimistët e paepur lipset ta shohin këtë si progres.

2- Arratisja nuk i hyn në sy
Nuk tha një fjalë për shmangien nga drejtësia të Arben Ametajt, sebepçiut të fjalimit. Arratisja nga vendi e një (ish) anëtari të qeverisë kur dihej urdhërarresti është precedenti i parë i në këto 32 vite; apo edhe 100 vite. Kjo ngjarje përbën lajm të madh (dhe të trishtuar). Lëvizja e prokurorisë dhe votimi në Kuvend ishin pak a shumë të pritshme.
Optimistët e paepur me gjasë mbeten disi të zhgënjyer.

3- Shpëtoni patjetër shokët e Benit
Nuk i zuri emrin në gojë katër ofiqarëve socialistë që pretenca i nxori të pleksur personalisht e familjarisht me inceneratorët: një ministri, kryebashkiakut të Tiranës, një deputeti (e nr. 2 në parti) dhe një drejtoreshe të rëndësishme në Min. e Drejtësisë. Nuk tha p.sh. se do e bëjmë si në Europë ku deklarohet se për të shëndoshur besimin publik në institucionet ata duhet të ikin (me shkarkim, dorëheqje ose përjashtim).

Optimistët e paepur shpresojnë se mos Rama vepron pa folur, por amá nuk pranojnë të venë bast me lekë.

4- Kush ha lekë pa djegur plehra
Nuk përmendi fare inceneratorin e Tiranës, i cili nuk është nën sekuestrim dhe është paguar deri tashti me 58,5 milionë Euro nga Thesari i Shtetit. “Pronarët” e tij vazhdojnë të paguhen çdo muaj afro 1 milion euro për një shërbim që inceneratori nuk e ofron. Kështu konkludon Kontrolli i Lartë i Shtetit e kështu e di tërë dynjaja.
Optimistët e paepur janë konfuzë në këtë pikë, dëgjojnë se “parja e hudh ujin përpjetë” dhe për momentin nuk prononcohen.

5- Fajin e kanë gjithmonë ata
Nuk i nxuri goja një llaf të mirë për opozitën e cila prej shtatë vjetësh ka dëftuar problemet me inceneratorët dhe që akuza e SPAK-ut pjesërisht i kishte detajuar. Pra Rama e quajti të dobishme aktakuzën e prokurorit dhe të besueshme sa për t’i dhënë votën; por akuzat publike idem të opozitës ai vazhdon t’i konsiderojë gënjeshtra e baltosje.

Optimistët e paepur e dinë se logjika e koherenca janë cilësi pozitive të njeriut, por atyre u duket pretendim i tepruar në këtë moment që Rama të jetë logjik e koherent.

Arena e Lajmit


“Fjalimi i Ramës dhe optimistët e paepur”, Genc Pollo: Nga arratisja e Ahmetajt te fajin e ka opozita, 5 çështjet ku spikati

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook