Propozimi për zgjatjen e mandatit të Gjinushit, Artan Fuga: Gafat proceduriale të projektligjit Koçi-Beqiraj për Akademinë e Shkencave

Akademiku Artan Fuga, në një shkrim të gjatë këtë mbrëmje në Facebook, ka reaguar sërish lidhur me projektligji e deputetëve të PS Petro Koçi dhe Ismet Beqirajt, për t’i zgjatur mandatin në krye të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushit.

Fuga thotë se ky projektligj është mjerimi madh intelektual dhe juridik, ndërsa rendit ‘gafat proceduriale të projektligjit’.

Reagimi i plotë i Fugës:

Gafat proceduriale të projektligjit Koçi – Beqiraj për Akademinë e Shkencave

Njoftim për mediat

Projektligji i Petro Koçit dhe i Ismet Beqirajt që duan të japin mandate të tjera pushteti për kryesinë e akademisë së shkencave dhe ta mbajnë në detyrë kryetarin e saj mbi 75 vjeç, është një katastrofë nga ana proceduriale, lëre pastaj përmbajtjen.

Eshtë një mjerimi madh intelektual dhe juridik.

Unë e them me trishtim, nuk do të desha kurrë që deputetët tanë të nxjerrin të tilla projektligje nga duart e tyre, është më se e frikshme. Përse nuk e thonë në relacion troç: Nuk e kemi bërë ne këtë! Do të çliroheshin nga ankthet!

Nëse një student imi në filozofinë e ligjit do të më kishte dorëzuar këtë projektligj si detyrë kursi do ta kisha ngushëlluar: Mëso më shumë deri në vjeshtë!

Ja tre nga disa gafat e bëra!

  1. Kundërthëniet e relacionit të paraqitur nga iniciuesit

Ligja proceduriale në fuqi në Republikën e Shqipërisë, pra Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë, kërkon që relacioni që shoqëron propozimet e një projektligji duhet:

  1. të tregojë objektivat e propozimeve të bëra,
  2. përse ato objektiva nuk arrihen me legjislacionin në fuqi,
  3. në rast të kundërt Kryetari i Kuvendit mund ta kthejë projektligjin te iniciuesit e tij.

Ja çfarë thotë për këtë çështje Rregullorja e Kuvendit në fuqi dhe e përditësuar:

Në pikën 2 të saj thuhet:

“Projektligji hartohet në formën e një akti normativ dhe shoqërohet me një relacion, i cili përmban:

  1. Objektivat që synohen të arrihen me miratimin e tij;
  2. Argumentet se objektivat nuk mund të arrihen me instrumentet ligjore ekzistuese. “

Kurse pika 4 thekson:

“Kryetari i Kuvendit, në mënyrë të arsyetuar, mund ta kthejë te nismëtari projektligjet e depozituara, në rast se nuk përmbushin kërkesat e parashikuara në pikën 2 të këtij neni.”

Ju ftoj ta shqyrtoni me hollësi relacionin e paraqitur.

Do të shihni se nuk ka absolutisht asgjë përsa i përket shtjellimit të objektivave që synohen me amendamentet në fjalë. Pra, çfarë objektivi mendohet të arrihet duke bërë që jo vetëm kryetari, por të pestë anëtarët e kryesisë të mund të qëndrojnë në të njëjtat poste për dymbëdhjetë radhazi?

Çfarë objektivash kërkojnë të arrihen kur propozojnë që kryetari të vazhdojë të qendrojë në detyrë edhe pas moshës 75 vjeç, pra konkretisht edhe tetë vite të tjera, deri në 83 vjeç?

Kërkoj të gjej objektivat dhe nuk ka asgjë.

Përderisa nuk ka objektiva, nuk mund të ketë edhe argumente që justifikojnë ndryshimet ligjore për t’i arritur ato objektiva. Përkundrazi, ka propozime për ndryshime ligjore pa objektivat që duhen arritur.

Ligja proceduriale jo vetëm nuk është respektuar, jo vetëm është shkelur, por është kthyer mbrapsht!!!

Unë mirëkuptoj se përse dy zotërinjtë deputetë nuk mund të vinin objektiva. Sepse objektiva nuk ka.

Ligji për Akademinë e Shkencave kërkon që anëtari i Asamblesë që mbush moshën 75 vjeç e ndërpret të qenit Anëtar i asamblesë duke marrë statusin Akademik Emeritus. Atij, që nga kjo moshë, i hiqen disa të drejta, si edhe disa detyrime thelbësore. Këtë e pranojnë edhe dy deputetët sa kohë që i lënë të pandryshuara këto përcaktime. Mosha bën të vetën.

Por pyetja mbetet:

Kur pranohet me ligj se pas moshës 75 vjeç fuqitë dhe energjitë e Akademikut si rregull dobësohen (siç ligji thotë), atëherë si është e mundur që po sipas iniciuesve të amendamenteve vetëm një person, një njeri, a super-njeri, a mbi-njeri, ligja ta konsiderojë se nuk preket nga faktori moshë, sikurse ligja konsideron për të tjerët?

A mund ta argumentojnë nismëtarët e këtyre amendamenteve se përse, sipas ligjit, energjitë bien disi ose konsiderueshëm pas moshës 75 vjeç te të gjithë akademikët, por një gjë e tillë nuk ndodh vetëm te Kryetari i akademisë?

A mund ta argumentojnë ata se kur kryetari i akademisë bëhet 75 vjeç ose 80 vjeç, është më i aftë, puna  e tij bëhet më mirë, institucioni bëhet më i zhdërvjelltë sesa kur kryetari është deri në 75 vjeç?

E pyes këtë sepse një amendament bëhet për ta çuar përpara punën!

Sigurisht që nuk mund ta argumentojnë. Kanë bërë mirë etikisht që nuk i kanë hyrë kësaj valleje sepse teksti do të ishte bërë komik.  Mirëpo ligja është e rreptë: Ajo u kërkon nismëtarëve të amendamenteve të argumentojnë objektivat e tyre, çka nuk e kanë plotësuar.

Problemi bëhet edhe më i mprehtë po të bëjmë pak histori legjislacioni.

Katër vite më parë, po t’i referohemi kujtesës, mediave dhe dokumenteve zyrtare, fjalimeve të kryeministrit, etj., reforma e Akademisë të Shkencave nisi pikërisht nga kjo premisë: Stagnacioni i drejtuesve të Akademisë të Shkencave në krye të saj, ku kryetari bëhej zëvendëskryetar dhe zëvendës kryetari bëhej kryetar, një rokadë e përhershme, e tipit Putin – Medvedev, por në përmasat komike të një “filxhani kafeje”.

Kurse tani amendamentet e paraqitura kërkojnë që drejtuesit e Akademisë së Shkencave të mund të qëndrojnë  8 ose praktikisht edhe12 vjet, tashmë bazuar në ligj. Jo vetëm kryetari, por edhe zëvendës kryetari, jo vetëm zëvendës kryetari por edhe sekretari shkencor, jo vetëm sekretari shkencor por edhe kryetarët e seksioneve, të gjithë. Ne po kthehemi atje ku ishim, edhe më keq.

Kuptohet që teksti i projekt – amendimeve nuk ka dashur të krijojë lëndime, qef-mbetje midis anëtarëve të kryesisë. O të gjithë o asnjëri! Në këtë mënyrë ka krijuar atë që quhet “solidaritet serial i grupit”, i të pesë akademikëve në Kryesi, të cilët sipas unitetit që u krijon amandamenti nxiten për një votim për njeri tjetrin. Pesë vota të fituara për secilin.

Pyetja është: Përse amendamenti na kthen pas, në një situatë që vetë iniciuesit  e tij e kanë quajtur katër vite më parë si “një farsë zgjedhore” ? Të pestë anëtarët e kryesisë kanë hapësira ligjore për të qëndruar tetë vite të tjera, të gjithë bashkë, pa qejf – mbetje, në krye të institucionit.

Tani rrezikojmë të zhytemi edhe më fort në batakun e farsës. Pyes: A e nxit freskinë e drejtimit në Akademinë e Shkencave amendamenti i paraqitur kur na kthen ligjërisht në një situatë më të keqe se katër vite më parë?

  1. Si hyn në konflikt “propozimi” me “shpjegimin” në relacionin bashkëshoqërues.

Deputetët që kanë iniciuar këto amendamente u është dashur sigurisht të shqyrtojnë gjendjen e institucionit të Akademisë së Shkencave. Pa këtë, nuk do të mund të mbështesnin propozimet e tyre për ndryshime ligjore.

Këtu fillon një problem tjetër që krijon kundërthënie logjike të thella, dhe që më pas do të shohim influencojnë edhe formulimet ligjore.

Në relacionin e paraqitur bëhet apologjia e ligjit në fuqi për Akademinë e Shkencave, dhe gjithashtu ndihet dëshira për të treguar se veprimtaria e Akademisë së Shkencave ka qenë e mbushur me suksese në zbatim të këtij ligji. Por, pikërisht këtu nis një kontradiktë logjike e rëndësishme, e pashmangshme.

Nëse Akademia e Shkencave ka vepruar konform ligjit në fuqi, nëse veprimtaria e saj është e mbushur me suksese, atëherë përse do të duhet ta ndryshojmë ligjin në fuqi?

Nëse nuk tregohet në asnjë vend të relacionit të paraqitur as edhe një problem, as edhe një e metë, as edhe ndonjë frenim i ardhur nga cilido nen i ligjit në fuqi për Akademinë e Shkencave, përse duhen amendamentet?

Përse na duhen këto amendamente?

Dhe më tej, : Nëse këto suksese janë arritur në drejtimin e një kryesie dhe një Kryetari që kanë punuar me përkushtim mbi bazën e një ligji që u jepte vetëm një mandat dhe jo dy mandate në vazhdimësi për të drejtuar, atëherë si mund të argumentohet se kalimi në modelin me dy mandate në vazhdimësi, me një kryetar edhe mbi 75 vjec, premton të sjelli përmirësime?

Ja pra që ligja në fuqi nuk paska penguar!

Rregullorja e Kuvendit si ligj procedurial ndalon prerazi çdo ndryshim të një gjendjeje ligjore në fuqi sa kohë ajo nuk bëhet pengesë për suksese, madje në këtë rast siç thuhet në relacion paska qenë faktor suksesi!!!

Po citoj relacionin e paraqitur që duhet të argumentonte ndryshimet ligjore :

“Ligji ekzsitues, nr. 53/2019, datë 18.07.2019, “Për Akademinë e Shkencave është hartuar në përgjigje të kërkesave të drejta të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, por edhe të komunitetit akademik e shkencor të vendit si edhe interesit publik për të ndërtuar një Akademi të Shkencave sipas modeleve më të suksesshme bashkëkohore.”

Nga arritjet dhe anët e ligjit në fuqi, numërohen në mënyrë prioritare pikërisht formulimet që amendamenti kërkon t’i ndryshojë.

Kjo e bën tekstin e relacionit edhe më të çuditshëm, nëse nuk duam të përdorim përcaktime të tjera.

Ja si thonë dy autorët : “Gjithashtu ligji nuk përfshin  më kategorinë e akademikut të përhershëm, duke iu dhënë akademikëve mbi 75 vjeç statusin Emeritus dhe duke i çliruar ata nga disa detyrime institucionale të pjesëmarrjes në veprimtarinë e Akademisë.”

Ja pra, konsiderohet si arritje që pas moshës 75 vjeç, akademikët, duke përfshirë edhe Kryetarin e Akademisë së Shkencave,  çlirohen nga disa të drejta dhe detyrime Pra edhe nga e drejta për të mbajtur poste pas moshës 75 vjeç.

Por, pikërisht këtë sukses të njohur nga ana e dy deputetëve në relacionin që ata kanë firmosur bashkërisht, amendamentet që ata propozojnë e sulmojnë, duan ta ndryshojnë.

Çfarë të marrim të vërtetë? Që ligja bën mirë që i kufizon përgjegjësitë, të drejtat, kompetencat, e akademikëve mbi 75 vjeç, apo bën keq? Ligjvënësi futet kështu në një kurth logjik, në një pamundësi për të ndërtuar koherencë logjike, pra për të bërë ligj.

Dhe më tej, relacioni vazhdon po në këtë mënyrë. Atje shkruhet e bardhë mbi të zezë duke numëruar sukseset e ligjit në fuqi: “Gjithashtu ligji i ri kufizoi mandatet e drejtuesve të zgjedhur të Akademisë deri në dy, duke krijuar kushtet për ripërtëritjen edhe të drejtuesve të Akademisë.”

Kalimthi shënoj këtu se të dy deputetët kanë bërë një lapsus. Nuk them se nuk e njohin ligjin në fuqi për Akademinë e Shkencave. Nuk them dot edhe se e kanë cituar me qëllim në mënyrë të gabuar ligjin në fuqi. Por gabim e kanë cituar. Ligja në fuqi nuk e kufizon vetëm në dy mandate të drejtën e kandidimit për anëtarët e Kryesisë, por e kufizon për dy mandate radhazi. Pra ligja përcakton se pas një mandati të parë nuk mund të kërkohet në vazhdimësi një mandat i dytë. Është një ndryshim i rëndësishëm.

Por, le ta kalojmë këtë lapsus. Duhet korrigjuar. Por puna është se nga autorët e propozimeve amenduese kufizimi i mandateve sipas ligjit në fuqi shënohet si një arritje e tij. Atëhere si është e mundur që pikërisht atë që ata lavdërojnë si arritje ligjore, pikërisht atë përcaktim ligjor që edhe kërkojnë ta ndryshojnë?

Si është e mundur që në tekst të relacionit ka të tilla gjendje kundërthëniesh logjike! Si mohohet ajo që pohohet? Si kërkohet të ndryshohet, ajo që quhet bazë ligjore për sukseset e arritura? Cilët janë në të vërtetë objektivat që kërkohen të realizohen?

  1. Relacioni nuk bën transparencën e burimeve të informacionit

Deputetët iniciues të amendamenteve, duke na ofruar në relacionin e tyre të dhëna për aktivitetin dhe sukseset e Akademisë së Shkencave, duhej që në mënyrë prioritare t’i jepnin përgjigje edhe një çështjeje thelbësore: A është strategjia e kësaj Akademie Shkencash në përputhje me ligjin në fuqi?

Kjo pyetje, sikurse e trajtuam më lart, ka mbetur e pashtruar në relacion, dhe për rrjedhojë edhe pa përgjigje.

Sigurisht që deputetët nuk mund ta shtronin këtë pyetje dhe t’i jepnin asaj përgjigje. Kjo do të kërkonte prej tyre të mbështeteshin në ekspertiza shkencore, në konsulta etj.

Duke parë relacionin në fjalë, sheh edhe një listë me arritje që ata rendisin si suksese të Akademisë së Shkencave. Unë nuk hyj këtu në diskutim me ta, sepse nuk është vendi. Problemi që shtroj është se ku i kanë gjetur propozuesit e amendamenteve këto informacione?

Në çfarë ekspertize mbështeten ata për të bërë këtë analizë që dëshiron të vlerësojë aktivitete në fusha që nisin që nga sizmologjia, imunologjia, nano-teknologjia, gjuha shqipe, etj?

Unë pyes: A janë konsultuar dhe a kanë marrë pëlqimin nga ana e Kryesisë së Akademisë së Shkencave iniciuesit e këtyre projekt -amendamenteve? Pra sidomos për dy çështje: a. Për mandatet radhazi, b. Për një kryetar mbi 75 vjeç?

Ka dy mundësi: E para është që i kanë gjetur vetë këto informacione shkencore që përmban relacioni, por kjo do të kërkonte që të provohej puna e tyre si ekspertë të aktivitetit të një institucioni shkencor si Akademia e Shkencave.

Ose i kanë marrë informacionet duke krijuar kontakte, bërë takime koordinuese me Akademinë e Shkencave. Nuk do të kishte asnjë të keqe. Por, informacionet e marra në këtë rast duhej t’i referonin në burime të dokumentuara parësore, ndryshe, pa referenca, përdorimi i këtyre informacioneve quhet plagjiat.

Rregullorja e Kuvendit, pra ligji për procedurat e ligj-bërjes kërkon që deputetët që ndërmarrin iniciativa ligjore duhet të dëshmojnë, tregojnë, shpallin, regjistrojnë të gjitha takimet e tyre, kohën, tematikat e diskutimit, me të gjitha agjencitë për të cilat ata ndërmarrin iniciativa ligjore.

Pra çështja ka dy zgjidhje: ose deputetët i kanë vëzhguar dhe nxjerrë vetë informacionet që paraqesin në relacion, pra mbajnë përgjegjësinë e saktësisë dhe të vlerësimit të tyre, pra dalin në rolin e ekspertëve; ose ato u a ka ofruar Akademia e Shkencave dhe në këtë rast, ligja parashikon detyrime për ta.

Nga ana e tij, Kodi i Sjelljes së Deputetit, i hyrë në fuqi me vendim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë numër 61/117, Kod me fuqi ligjore, shprehet:

Neni 21:

Pika 2 : Transparenca e kontakteve të deputetit me lobistët, organizatat e shoqërisë civile, grupeve të interesit zbatohet për të gjitha rastet, përfshirë kontaktet jashtë mbledhjeve të Kuvendit dhe komisioneve të tij.

Pika 3: Ai ( deputeti) duhet të bëjë publike takimet me ta, objektin e diskutimeve dhe shkallën e mbështetjes që do të sigurojë për kërkesat e paraqitura nga subjektet kërkuese.

Pika 4 :… Këto dokumente depozitohen në komisionet parlamentare ose në Sekretarinë e Kuvendit

Pika 5: Dokumentet shkresore… publikohen në faqen zyrtare të Komisionit parlamentar”.

Kam kërkuar këto informacione në të gjitha drejtimet që kërkon ligjërisht Kodi i Sjelljes së Deputetit, por nuk kam gjetur dot asgjë.

Arena e Lajmit


Propozimi për zgjatjen e mandatit të Gjinushit, Artan Fuga: Gafat proceduriale të projektligjit Koçi-Beqiraj për Akademinë e Shkencave

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook