Humbja e masës muskulare me kalimin e moshës mund të jetë diçka e rrezikshme për shëndetin. Shto këtu edhe faktin se mund t’jua bëjë më të vështirë kryerjen e aktiviteteve të përditshme, dhe të rrisë mundësinë që të pësoni dëmtime fizike.
Për të parandaluar këtë problem të mundshëm, ju duhet të siguroheni që po merrni vitaminat e duhura nëpërmjet ushqimit ose suplementeve. Sepse siç ka zbuluar një studim i ri, të cilit AgroWeb.org i referohet, mungesa e vitaminës D mund të çojë në humbje të muskujve me kalimin e moshës.
AgroWeb.org iu njeh me gjetjet e këtij studimi më poshtë në artikull.
Mungesa e vitaminës D dhe humbja e masës muskulare.
Në fillim të studimit, pjesëmarrësit nuk i kishin humbur ende muskujt për shkak të plakjes. Megjithatë, pas katër vitesh, ata që kishin mungesë të vitaminës D, kishin 70% më shumë mundësi të vuanin nga humbja e masës muskulare.
Për më tepër, kur u morën në konsideratë faktorë të tillë si marrja e suplementeve të vitaminës D dhe osteoporoza, rreziku për ata me mungesë të vitaminës D u rrit në 78% krahasuar me ata që merrnin mjaftueshëm nga kjo vitaminë.
Studiuesit thonë se është e nevojshme që njerëzit të jenë të vetëdijshëm për këtë, në mënyrë që të parandalojnë çdo rrezik në të ardhmen. Ekspozimi në diell, konsumi i ushqimeve të pasura me vitaminë D, marrja e një suplementi dhe kryerja e ushtrimeve të rezistencës për të ruajtur forcën e muskujve, janë disa nga gjërat që mund të bëni.
Të gjithë duhet t’i kushtojmë vëmendje niveleve të vitaminës D ndërsa mosha kalon pasi ajo ndihmon në ruajtjen e kockave dhe muskujve. Kur humbasim forcën ose masën muskulare, ne mund të biem më lehtë, të lëndohemi më lehtë dhe më rëndë, por edhe të shërohemi më ngadalë se më parë.
Kur bëhet fjalë për sasinë e vitaminës D, ju mund të keni nevoja unike, një mjek ose nutricionist mund të japë udhëzime më specifike. Është e rëndësishme të mos kaloni sasinë për të cilën keni nevojë, pasi në të kundërt kjo mund të shkaktojë të përziera ose të vjella. Dhe kur merret në mënyrë të rregullt për periudha të gjata mund të shkaktojë gurë në veshka, dëmtim të zemrës dhe kancer. Megjithatë kjo është relativisht e rrallë. /AgroWeb.org