Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP u përfshinë në debate gjatë mbledhjes plenare të hënën më 17 korrik gjatë diskutimit për miratimin e projektvendimeve për shpalljen e dy vendeve vakante me procedurën e transferimit nëpërmjet lëvizjes paralele në Prokurorinë e Tiranës dhe për caktimet e përkohshme në prokurorinë e Apelit të Juridiksionit të Përgjthshëm në Tiranë. Në debate u ngritën shqetësime për ngutjen në shpalljen e vakancave të reja si dhe u aludua për konflikt interesi në vendimmarrjet për caktimin dhe ndërprerjen e përkohshme në Prokurorinë e Apelit, por që nuk u qartësuan.
Megjithëse anëtarja e Komisionit për Zhvillimin e Karrierës, Eloida Goxhi renditi rrethanat përse ishte e nevojshme hapja e dy vakancave të reja në Tiranë, si mungesa e një numri të madh të prokuorëve dhe rëndësinë që ka kjo prokurori për shkak të mbulimit të territorit ku jeton 1/3-ta e popullsisë shqiptare, anëtarët Tartar Bazaj dhe Nurihan Seiti kundërshtuan këtë projektvendim.
“Jam e habitur! Sa mbyllim një garë e sjellim 28 veta, tani hapet një garë tjetër për Tiranën. Nuk e kuptoj, nuk e di çfarë po ndodh. […]Çështë kjo garë në fund të korrikut. Po prisni shtatorin, tetorin apo nëntorin. Nuk po kuptoj se çfarë po ndodh dhe që nuk pati ndjeshmëri për katër persona në prokurorinë e Tiranës”, deklaroi ndër të tjera Seiti dhe shtoi se ka probleme dhe për apelin
Bazaj tha se ishte në të njëjtën linjë me Seitin. “Kemi mbyllur një process dhe nuk mund të hapim një tjetër. Pse duhet të nxitojmë të vijnë dy të tjerë në Tiranë?”, tha ai.
Pas diskutimeve edhe të anëtarëve të tjerë, KLP miratoi me 9 vota pro hapjen e procedurave për dy vende vakante në Prokurorinë e Tiranës. Kundër votuan Seiti dhe Bazaj.
Në vijim pati debate e diskutime edhe rreth propozimit të dy anëtarëve të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Bujar Sheshi dhe Eloida Goxhi për caktimin e përkohshëm në Prokurorinë e Apelit të dy prokurorëve dhe ndëprerjen e caktimit të përkohshëm për një tjetër.
Anëtarja Goxhi, shpjegoi se ajo dhe anëtari tjetër i Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Bujar Sheshi kishin ardhur me propozimin që nga tre propozime të caktimit të përkohshëm në Prokurorinë e Apelit, të vihen vetëm dy, duke vijuar me caktimet e prokurorëve Kujtim Basha e Elidjana Kasa dhe ndërprerjen e caktimit të përkohshëm për prokuroren Pranvera Gruda.
Sipas Goxhit, dy prokurorët ishin përzgjedhur për shkak të vjetërsisë më të madhe në punë.
Anëtarja Nurihan Seiti u shpreh se ka një vendim të këshillit për tre pozicione të përkohshme në Apel.
“Tani, po u bëtë pronarë të KLP-së…”, pohoi ajo.
Goxhi tha se tre muaj më parë këshilli kishte votuar për dy pozicione, por u kundërshtua nga Seiti dhe Balla, të cilët theksuan se kishin votuar tre pozicione të përkohshme.
“Është e drejtë ajo që thotë Seiti. Këshilli ka vendosur jo dy, por tre”, theksoi Balla.
Para se të votohej caktimi i përkohshëm i prokurorit Kujtim Basha, anëtarja Seiti kërkoi që cili prej anëtarëve ishte në konflikt interesi të largohej.
Caktimi i Bashës u miratua me 10 vota pro, pasi mungonte në atë votim anëtari KLP-së, Zeqir Hoda. Me 10 vota pro u caktua edhe Elidjana Kasa.
Megjithëse shumica e Komisionit të Zhvillimit të Karrierës kërkoi që të votohej ndëprerja e caktimit të përkohshëm në Apel të prokurores Pranvera Gruda, kryetari Balla lexoi projekt vendimin për caktimin e saj.
Pak para momentit të votimit për Grudën, kryetari Balla deklaroi se duhej të prisnin sa të kthehej në sallë anëtarja Ledina Riza. Anëtarja Seiti u shpreh se kolegia ndoshta kishte dalë për ndonjë arsye dhe në vijim u votua nga 10 anëtarë, ku pro vijimit të caktimit të përkohshëm të Grudës votuan vetëm katër anëtarë, Alfred Balla, Nurihan Seiti, Tartar Bazaj dhe Arta Mandro. Riza nuk ishte e pranishme ndërsa gjashtë anëtarët e tjerë votuan kundër duke sjellë për rrjedhojë moscaktimin e përkohshëm të Grudës në Prokurorinë e Apelit.
Bazaj u shpreh se nuk ishte aspak e moralshme që një prokurore të rikthehej në vendin e mëparshëm, kur kishte qenë nga të parat që ishte caktuar në Apel.
“Ose askush nuk duhet të ishte, ose duhet të ishin të tre”, tha ai./BIRN