SARANDË
Arrestohet 46-vjeçari nga policia e Sarandës pasi u kap në flagrancë në mesnatë, duke vjedhur 3 televizorë dhe sende personale të pushuesve, në një hotel në Livadhja.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik, gjatë patrullimit në zonat bregdetare, falë bashkëpunimit me qytetarët e zonës, kanë parandaluar një rast vjedhjeve në një hotel në Livadhja.
Falë ndërhyrjes së Policisë, është kapur në flagrancë, në mesnatë, shtetasi Jorgo Kumaraku, duke vjedhur në hotel, 3 televizorë dhe sende personale të turistëve të akomoduar në këtë hotel.
Në vijim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Jorgo Kumaraku, 46 vjeç, banues në Sarandë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton sërish ata, që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në bazë të ligjit.
Jorgo Kumaraku alias Leonard Kumaraku, rezulton i dënuar në vitin 2022 me 1 vit e 4 muaj burg për “kanosje” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta”. Në vitin 2007 ka grabitur duke kërcënuar me armë lodër punonjësen e kazino “Perla” në Sarandë, ngjarje për të cilën është dënuar me 5 vjet burg.
Në vitin 2008 i është gjetur në qeli një celular, për të cilin ka dhënë deklaratë të rremë sikur e kishte futur në qeli një polic i paraburgimit Sarandë. Ky i fundit u arrestua, por u la i lirë pasi u zbulua gënjeshtra e Kumarakut, duke bërë që ky i fundit të dënohej me 6 muaj burg.
Në shtator 2013 me një pistoletë lodër dhunoi dhe grabiti punonjësen e kazino “Admiral” ne Sarandë. Një ditë pas ngjarjes së Sarandës, dhunoi dhe grabiti me pistoletë lodër punonjësen e një kazinoje tek Ura e Lumit në Gjirokastër. Kumaraku është përdorues narkotikësh dhe i dënuar në Greqi për “trafik narkotikësh”.