Ky sezon i ri futbollistik do të ketë shumë risi sa u përket formateve të kompeticioneve kombëtare të futbollit në vend. Përveç ndryshimeve në skemën e kampionatit “Abissnet Superiore” dhe Kategoria e Parë, edhe Kupa e Shqipërisë do të vijë me një tjetër strukturë në edicionin 2023-2024 sipas vendimit të marrë nga Komitetit Ekzekutiv i FSHF-së.
Ndryshe nga sezoni i kaluar, duke nisur nga ky edicion në këtë kompeticion do të marrin pjesë 44 skuadra, pra 10 më shumë se sezonin e kaluar, nga kampionatet “Abissnet Superiore”, Kategorisë e Parë, Kategoria e Dytë dhe ekipi kampion i Kategorisë së Tretë të sezonit 2022-2023.
Kupa e Shqipërisë 2023-2024 do të jetë e përbërë nga faza para-eliminatore dhe faza eliminatore. Ekipet e renditura nga vendi i parë e deri në vendin e tetë në Abissnet Superiore për sezonin 2022-2023 do të garojnë duke filluar nga faza 1/8 (Raundi III-të).
Në turin para-eleminator marrin pjesë ekipet e renditura në vendin e 7, 8, 9 të Kategorisë së Dytë Grupi A të sezonit 2022-2023 si dhe vendet e 7, 8, 9, 10 të Kategorisë së Dytë Grupi B të sezonit 2022-2023 si dhe ekipi Kampion i Kategorisë së Tretë sezoni 2022-2023. Ndeshjet në këtë tur do të zhvillohen me një takim në fushën e ekipit me renditje më të mirë të sezonit.
Në raundin e parë (1/32) do të marrin pjesë 2 ekipet e renditura në vendin e 9-të dhe të 10-të të Abissnet Superiore në Sezonin 2022-2023 si dhe 14 ekipet pjesëmarrëse në kampionatin e Kategorisë së Parë në Sezonin 2022-2023, 12 ekipet e renditura në gjashtë vendet e para të Kategorisë së Dytë të grupeve A dhe B në Sezonin 2022-2023, si dhe katër ekipet e kualifikuara nga turi para-eleminator.
Vetëm ndeshjet e turit çerekfinal (1/4) dhe gjysmëfinal (1/2) do të jenë me 2 takime.
()