Shtyrja e mandatit të Gjinushit në Akademinë e Shkencave, Fuga letër presidentit Begaj: Po ndyhet Kushtetuta, arsyet pse nuk duhet miratuar

Akademiku Artan Fuga i ka dërguar një letër presidentit të vendit, Bajram Begaj në lidhje me vendimin e shtyrjes së mandatit të Skënder Gjinushit, kryetarit të Akademisë së Shkencave, të cilën e ka quajtur nënshkelje të ligjit.

Në letrën drejtuar presidentit, Fuga shkruan se pa ndarjen e vërtetë të pushteteve, Shqipëria rrezikon të vidhet bashkë me kombin. Sakaq i ka bërë thirrje presidentit Begaj për mos miratimin e projektligjit, pasi sipas tij po merret nëpër këmbë Kuvendi dhe ndyhet Kushtetuta e Shqipërisë.

Letra e Artan Fugës drejtuar presidentit Bajram Begaj:

Zotit Bajram Begaj

President i Republikës
Tiranë, 27 korrik 2023

Pa ndarjen e vërtetë të pushteteve Shqipëria rrezikon të vidhiset, bashkë me kombin, zoti President !

I nderuar zoti President i Republikës,

Po ju drejtohem si Profesor, anëtar i Akademisë së Shkencave, si studiues, dhe si qytetar.
Sipas procedurave kushtetuese Kuvendi i Shqipërisë ka detyrë dhe detyrim të dërgojë për miratimin Tuaj të projekt-ligjit me bashkautor deputetët I. Beqiraj dhe P. Koçi Lidhur me disa ndryshime të ligjit në fuqi për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë.

Pikërisht këtë projektligj dëshiroj me shqetësim qytetar të denoncoj përpara Jush publikisht, duke pasur nderin dhe detyrën t’Ju informoj sa vijon :

Sigurisht nuk do të prek çështjen se sa i dobishëm ose shkatërrues është ky projektligj i kaluar aty nga ora 5 e mëngjesit, jashtë rendit të ditës të parashikuar sipas Rregullores të Kuvendit, në seancën e fundit të tij për këtë sezon, së bashku me atë që quhet ligji për kanabisin dhe për diplomat e studentëve të mjekësisë. Nisem vetëm nga aspekte proceduriale të shkelura me të dy këmbët në votimin e këtij ligji sikurse edhe në të gjithë procesin e ndërtimit legjislativ të tij. Sidomos mbetem i shqetësuar për shkeljet kushtetuese dhe të logjikës minimale juridike që çdo jurist i paanshëm do ta kishin bërë të zinte kokën me duar! Drejtohet te Ju sepse vlerësoj rolin Tuaj si garant i shtetit ligjor në Shqipëri, si edhe me detyra dhe kompetenca të mëdha si Kryetar i Shtetit për të mbrojtur Kushtetutën.

Pa hyrë në hollësi që besoj se ata që kanë kompetencën do t’ua bëjnë me dije, theksoj se projektligji Beqiraj – Koçi karakterizohet nga tre anë thelbësore që e nxjerrin në dritë faktin që ai shkel me të dy këmbët atë që quhet “vello e ligjit”, pra, që ligji nuk bëhet të përfitojnë një ose pesë vetë, nuk bëhet i drejtuar te një ose disa individë që legjislatori i di se kush janë, por ka karakter universal, pra sikurse drejtësia, është dhe duhet të jetë i verbër.

Ky projektligji i votuar në 5 të mëngjesit kërkon : a. Anëtarët e Kryesisë së Akademisë së Shkencave të kenë të drejtë, në kundërshtim me ligjin në fuqi të marrin mandate njëri pas tjetrit, pra përkeqëson rrotacionin në institucion, që dihet se është vlerë bazë e demokracisë. Monopoli i pushtetit është karakteristikë e institucioneve dogmatike, të ngurta, autoritariste, dhe në shkencë është krejtësisht i dëmshëm. b. Kryetari i Akademisë së Shkencave mund të qëndrojë në post edhe 75 vjeç, edhe 80 vjeç, në kundërshtim me ligjin sot në fuqi që i ndërpret mandatin, si kudo tjetër në institucionet publike kur arrihet një moshë e caktuar, pas mbush të 75 vjetët. c. Ky projektligj duhej votuar në 5 të mëngjesit, sepse duhej të hynte sa më shpejt në fuqi, urgjentisht, në kohën që Akademia e Shkencave do të duhej të ishte në proces zgjedhjesh. Pra, duhej të hynte në fuqi pikërisht para zgjedhjeve duke ndryshuar “rregullat e lojës”. Kuptohet, sikurse e ka kuptuar i gjithë opinioni publik se projektligji Beqiraj – Koçi, jo vetëm i mungon “velloja e ligjit”, por është krejt i zhveshur, është lakuriq, nga paanësia, nga karakteri universal që një ligj duhet të përmbajë.

Pa hyrë në hollësi, më lejoni zoti President t’Ju informoj që ky projektligj shkel rëndë Kushtetutën e Shqipërisë, konkretisht nenin 18 të saj që garanton barazinë e qytetarëve para ligjit. Ndërsa ligja për Akademinë e Shkencave detyron që të gjithë anëtarët e asamblesë së saj shpallen “Emeritus”, pra nuk mund të zgjidhen në detyra drejtuese, përkundrazi çlirohen nga të drejta dhe detyrime, vetëm kryetari, “mbinjeriu”, kushdo që të zgjidhet, privilegjohet, dhe nuk preket nga kufizimet që ligja parashikon për të gjithë bashkëmoshatarët e tij.
Ky projektligj u votua ndërkohë që në procesin ligjbërës u morën nëpër këmbë të gjitha procedurat që Rregullorja e Kuvendit parashikon, urdhëron të zbatohen, për votimin e ndryshimeve ligjore. Mbi të gjitha zoti Petro Koçi, në konflikt të rëndë interesi, autor i projektligjit, si zëvendëskryetar i Komisionit të medias dhe të edukimit në Kuvend, organizoi një mbledhje të komisionit, në dijeninë time, jashtë çdo rregulli institucional. Mjafton që juristët Tuaj, zoti President, të ndjekin ecurinë e ngjarjes në Kuvend për të konstatuar lehtësisht se në këtë rast zotëria ka ushtruar ndikime dhe ka ushtruar kompetenca të uzurpuara legjislative për të bërë të kalojë projektligji që mban edhe nënshkrimin e Tij.

Gjithçka del qartë në dritë po të lexohet me kujdes deklarata e dorëheqjes të z. P. Koçi në media, ku ai zi mbi të bardhë ka pohuar se e bën këtë akt për të qetësuar ndërgjegjen e tij politike, dhe dorëhiqet sepse kolegët e tij, si edhe opozita, nuk pranonin ta kalonin projektligjin e tij me procedurat në fuqi!!!

Zoti President, është hera e dytë që ligje që vijnë si ndryshime dhe arnime për ligjin në fuqi për Akademinë e Shkencave, marrin nëpër këmbë institucionet e Republikës. Katër vite më parë ligji në fuqi u ndryshua për të nxjerrë jashtë loje Presidentin e Republikës në emërimin e Kryetarit të ASH, sikurse e parashikon Kushtetuta. Çudia e radhës, marrja nëpër këmbë e Presidentit në përgjithësi, konsiston në atë që vullneti i Tij për dekretet e emërimeve, i cili kufizohet vetëm nga Kushtetuta, pra ka vlerë të pakthyeshme edhe nga vetë Kuvendi, në rastin e ASH hidhet në kosh edhe nga gjysma e anëtarëve të asamblesë të ASH. Praktikisht ligja për ASH e bën Kushtetutën një letër pa vlerë, e cila i jep Presidentit të Republikës atë që ja merr një ligj i veçantë, pra që duhet të nën-vendosej ndaj Kushtetutës.
Katër vite më vonë, përsëri për një projektligj që çimenton pushtetin e kryesimit në ASH po merren nëpër këmbë Rregullorja e Kuvendit, Kushtetuta, pra Kuvendi si institucion i shtetit. Mbi të gjitha po merret nëpër këmbë logjika njerëzore, sepse ligji i ASH tani me projektligjin Beqiraj – Koçi është bërë krejt kontradiktor, mohon atë që pohon, dhe pohon atë që mohon. Pas 75 vjetëve akademiku del në pension, por edhe bëhet Kryetar i ASH !!! Po bëhet si me thënë qesharak!

Këtë natyrë qesharake, unë e mirëkuptoj, mund të mos e vësh re nëse je pa gjumë, në ora 5 të mëngjesit, por gjithsesi e vërteta mbetet. Shkarazi mendoj që pas orës maksimumi 24 e darkës, asnjë ligj të mos votohet në Kuvendin e Shqipërisë. Po ashtu, ky projektligj bën që në mënyrën më alogjike të jetë kryetar i ASH dikush që nuk është anëtar i Asamblesë me të drejta të plota. Është njësoj sikur dikush që nuk është qytetar shqiptar, të pretendonte të zgjidhej kryetar i shtetit tonë!

I nderuar zoti President, problemi është bërë thelbësor, sepse marrja nëpër këmbë e Kuvendit, uzurpimi i kompetencave të Presidentit të Republikës, tani po bëhet duke u justifikuar me koncepte të rrezikshme për demokracinë shqiptare. Po thuhet se vota është më e fuqishme se ligji. Që do të thotë se me votë mund të merret nëpër këmbë çdo normë ligjore, proçeduriale, çdo përcaktueshmëri ligjore, afate zgjedhjesh, kufizime pushtetore që jep ligji, etj. Këtë koncept po e shprehin hapur institucione të interesuara, si edhe deputetë që shkeljet proceduriale i justifikojnë gjoja me “stabilitetin e institucioneve”!

I nderuar zoti President, unë Ju drejtohem me këtë parashtresë duke shpresuar se Ju nuk do ta miratoni këtë projektligj sepse ai veçse është qesharak, merr nëpër këmbë Kuvendin e Shqipërisë, ndyn Kushtetutën e Shqipërisë, bie ndesh me logjikën juridike më elementare që do ta kishte bërë çdo jurist të paanshëm të vinte duart në kokë, është në vazhdën e ndryshimeve ligjore që morën nëpër këmbë kompetencat e Presidentit të Republikës, si edhe sepse Shqipëria ka nevojë për një ndarje reale pushtetesh. Përndryshe rrezikon të vidhiset, bashkë me kombin.
Ndihet nevoja urgjente që kur Kuvendi i Shqipërisë nxitohet, vihet nën presion, kur deputetë të caktuar e manipulojnë atë duke shkelur me të dy këmbët procedura ligjore, nuk ka kërkush tjetër, veç Jush, sikurse Kushtetuta e parashikon, të kërkoni që të rikthehet ligjshmëria! Përndryshe, ndarja e pushteteve në Shqipëri do të ishte vetëm një fasadë, dhe nga kjo asnjë shqiptar, e ritheksoj, asnjë, nuk do të shihte dot një të ardhme të mirë për kombin dhe vendin e vet!

Me konsiderata të veçanta,

Artan Fuga

Arena e Lajmit


Shtyrja e mandatit të Gjinushit në Akademinë e Shkencave, Fuga letër presidentit Begaj: Po ndyhet Kushtetuta, arsyet pse nuk duhet miratuar

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook