Japonia vendosi këtë javë kufizimeve mbi eksportin e teknologjive të avancuara të mikroprocesorëve, duke iu bashkuar të njëjtës masë të ndërmarrë se fundmi nga Shtetet e Bashkuara dhe Holanda.
Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Tokio, vendimi shihet gjerësisht si një masë që ka si objektiv Kinën.
Japonia ka përcaktuar njëzet e tre lloje teknologjish, që janë tashmë subjekt i kufizimeve për eksport. Në to përfshihen pajisjet e avancuara për prodhimin e mikroqarqeve, të tilla si aparaturat që krijojnë qarqet mikroskopike të gjysmëpërçuesve. Ky veprim do të ndikojë në aftësinë e Kinës për të prodhuar mikroqarqe elektrike të avancuara, thotë analisti Yoshiaki Takayama.
“Për shkak se numri i kompanive të afta të prodhojnë gjysmëpërçues të avancuar është jashtëzakonisht i kufizuar, vendimi i Japonisë e bën më të vështirë për Kinën, jo vetëm që t’i importojë mikroqarqet, por edhe t’i prodhojë ato”, thotë Yoshiaki Takayama, i Institutit japonez për Çështje Ndërkombëtare.
Tetorin e kaluar Shtetet e Bashkuara ndaluan eksportin drejt Kinës të disa llojeve të avancuara të mikroqarqeve dhe të teknologjisë së prodhimit të tyre. Holanda një tjetër prodhues kryesor i gjysmëpërçuesve, vendosi gjithashtu kufizime në eksport.
Uashingtoni thotë se me këtë vendim kërkon të ndalojë Pekinin që ta përdorë teknologjinë për qëllime ushtarake. Në takimin e nivelit të lartë të vendeve të G7-s në Japoni, u ra dakord mbi nevojën për të shmangur kërcënimin dhe varësinë nga Kina lidhur me teknologjinë e gjysmëpërçuese.
“Në këtë mënyrë kapaciteti i avancuar i prodhimit të gjysmëpërçuesve të Kinës nuk do të rritet, të paktën për një periudhë afatshkurtër dhe afatmesme. Pra duket se Kina, me qasjen e saj të kufizuar tek gjysmëpërçuesit më të avancuar, mund të mbetet pas në kërkimin dhe zhvillimin shkencor si dhe atë teknologjik“, thotë zoti Takayama.
Japonia nuk e përmendi Kinën si objektiv të kufizimeve të eksporteve të saj që do të përfshijë 160 vende të botës, por Pekini reagoi me zemërim.
“Duke shpërfillur shqetësimet serioze të Kinës, Japonia këmbënguli në marrjen dhe zbatimin e masave të kontrollit të eksporteve, vendim që qartësisht ka si objektiv Kinën“, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning
Vendimi i autoriteteve japoneze ka ngjallur gjithashtu frikë për një hakmarrje nga ana e Pekinit.
“Kina mund të ndërmarrë masa kundër kompanive individuale japoneze, si në rastin e sanksioneve kundër (prodhuesit amerikan të mikroqarqeve) Micron. Po kështu Pekini mund të kufizojë tregtinë me Japoninë për produkte specifike”, thotë zoti Takayama.
Analistët thonë se është jetike që aleatët perëndimorë të koordinojnë kontrollet ndaj eksporteve. Në javët e ardhshme Shtetet e Bashkuara pritet të përditësojnë listën e teknologjive të ndaluara të gjysmëpërçuese./ VOA
Arena e Lajmit