“El Clasico” nuk është kurrë një sfidë banale, nuk është kurrë një miqësore, por është një përballje epike që prodhon emocione dhe spektakël. E tillë rezultoi miqësorja Real Madrid-Barcelona, e zhvilluar në Dallas. Tifozët shijuan një sfidë fantastike me raste pafund për shënim, shtylla, penallti e humbur, gola, në fund festuan bluagranët e Xavi-t që fituan me rezultatin e pastër 3-0. Me një skemë model, në minutën e 15-të, Barcelona kaloi në avantazh me Dembele. Pesë minuta më pas, Reali kishte mundësinë të barazonte shifrat, por Vinicius Jr gaboi nga pika e bardhë e penalltisë duke goditur traversën. Dy ekipet zhvilluan një futboll të hapur me raste pafund në të dy krahët, por zëvendësimet e shpeshta në pjesën e dytë ulën disi ritmin e lojës.
Në minutën e 85-të ishte Marin që me një super gol dyfishoi shifrat. Në shtesë, kishte kohë dhe për golin e tretë të realizuar nga Ferran Torres. Shijon këtë sukses të ekipit të tij trajneri Xavi: “Në shumë momente kishim kontrollin e lojës, kjo nuk është e lehtë kundër një ekipi si Real Madrid. Në përgjithësi ishte një sfidë mes të barabartësh, por kemi ende shumë gjëra për të përmirësuar”, u shpreh Xavi.
“Ishte një ndeshje e mirë, e luajtur mirë. E keqja e këtij takimi është rezultati, por më mirë që erdhi tani”, theksoi Carlo Ancelotti.
()