Orges Buzi, 33 vjeç është qëlluar me armë zjarri nga një person pas një sherri të ndodhur në një lokal në Fier.
Ngjarja ndodhur mëngjesin e sotëm në zonën e njohur si “Vija e Ngjalës”, ku autori i dyshuar Ledion (Enea) Nebiu, 30 vjeç, nga Patosi plagosi me armë zjarri 33-vjeçarin dhe më pas u arratis.
Gazetari Ervis Kuçi raportoi për “” se sherri mes tyre ka nisur brenda lokalit, ku ndodheshin në tavolina të ndryshme. Ata kanë filluar të debatojnë me fjalë fillimisht. Më pas autori e ka thirrur 33-vjeçarin Buzi jashtë lokalit dhe e ka qëlluar një herë me pistoletë në pjesën e poshtme të trupit dhe është larguar.
Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar dhe pamjet nga makina me të cilën është larguar autori, teksa policia është vënë në ndjekje të tij.
33-vjeçari i plagosur ndërkohë ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Policia vijon kontrollet në zonë dhe në ambiente të ndryshme, për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe çdo provë tjetër që do t’i shërbejë dokumentimit të plotë të ngjarjes. Vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.