DURRËS
Policia e Durrësit ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në Hamallaj të Durrësit, ku u dhunuan me sende të forta anëtarët e familjes Kaçi.
Sipas policisë, rreth orës 11:30, në Hamallaj, dyshohet se për motive pronësie, janë konfliktuar duke përdorur mjete të forta, anëtarët e një familjeje, shtetasit Pjetër Kaçi, K. K. dhe S. K., me anëtarët e një familjeje tjetër, shtetasit A. N., P. K. dhe Martin Nikolla.
Gjatë konfliktit dyshohet se shtetasi Martin Nikolla, punonjës i Gardës, ka qëlluar në ajër, me armën e shërbimit. Nga të shtënat nuk është dëmtuar asnjë person.
Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur shoqërimin e të gjithë personave të përfshirë në konflikt, në Komisariatin e Policisë Durrës.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit. Në përfundim të veprimeve të para hetimore dhe procedurale, do të ketë njoftim të plotë.