Zëvendësambasadori dhe Referenti i Ekonomisë në ambasadën Gjermane, Thilo Schroeter, ka vizituar një ditë më parë kompaninë EMS Albanian Port Operator në portin e Durrësit.
Sipas një njoftimi të bërë nga Ambasada, thuhet se arsyeja e vizitës ka qenë për të krijuar një ide mbi situatën e kompanisë.
“Kushtet e drejta dhe ligjore për investitorët e huaj janë thelbësore për perspektivën e Shqipërisë si vend për të bërë biznes dhe të ardhmen e saj si pjesë e tregut të brendshëm europian”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Kujtojmë se dy ditë më parë Gjykata Kushtetuese nuk e kaloi për shqyrtim ankiminin që kjo kompani kishte bërë. EMS kishte kontratë 35 vjeçare me Autoritetin Portual dhe pak ditë më parë u dëbua nga Porti i Durrësit. Sakaq kërkon dëmshpërblim nga shteti.
Kujtojmë se gjatë prillit të këtij viti, EMS Shipping & Trading ka depozituar në Gjykatën e Arbitrazhit e ICSID në Uashington një padi ndaj shtetit shqiptar. Akuza u regjistrua më 7 prill dhe objekt i padisë është mosmarrëveshjen për sa i takon koncesionit për Portin e Durrësit.