‘Larg telefonit, më afër fushës’, Klesta Ago motivon me rrëfimin e saj: Kam ëndrra të mëdha, ja si e ndaj kohën mes futbollit, shkollës & shoqërisë

Nga çakulli dhe asfaltet e lagjeve të kryeqytetit, Klesta Ago tashmë stërvitet çdo ditë në kompleksin ‘Skënder Halili’, si një futbolliste profesioniste. Sulmuesja e Tiranës dhe ekipit Kombëtar ka një histori thuajse të ngjashme me shoqet e saj sa i përket fillimeve të saj në futboll. Dëshirën dhe pasionin e ktheu në realitet në pak vite, teksa tashmë është një nga lojtaret kyçe të ekipit kryeqytetas.

Në një intervistë për rubrikën ‘Talenti Shqiptar’ për fshf.org, ajo zbulon se ndjek gjithmonë këshillat e të atit, shkollën nuk e ka lënë pas dore për futbollin, pasi beson se kështu nuk do të mund të bëhet kurrë një futbolliste e mirë. Jeton shëndetshëm, stërvitet shumë, e mban larg telefonin. Për një vit, ia doli që të kalojë nga ekipi kombëtar U-17 tek ai U-19. Madje, gjatë këtij viti përfaqësoi Shqipërinë në dy turne për të dyja grupmoshat. Klesta Ago është ende e vogël, por ka ëndrra të mëdha. Një ndër to, është të luajë për ekipin kombëtar A.

-Çfarë ju ka shtyrë të përfshiheshit në botën e futbollit? Sa vjeçe ishit kur nisët të luanit? 

– Sa herë që flas me shoqet e mia futbolliste për fillimet në këtë sport, duket sikur historia është e ngjashme për të gjitha. Unë kam nisur të luaj futboll në moshën 7-vjeçare me shokët e lagjes. Të pakta ishin vajzat që luanin futboll, por që kur kam qenë e vogël kam ëndërruar të bëhem futbolliste. Disa vite të mira të fëmijërisë sime i kam kaluar duke luajtur futboll rrugicave të lagjeve në Tiranë.

-Na tregoni pak për hapat e tua në karrierë, ku e nisët dhe si vazhdoi gjithçka? Ishte Tirana ekipi juaj i parë?

– Mesa duket, nuk ishte thjesht një dëshirë kjo e imja për të luajtur futboll. Pas disa viteve duke luajtur si amatore me shokët në lagje, prindërit më regjistruan tek ekipi i Tirana AS për vajza. Aty kam mësuar shumë, kam luajtur një futboll ndryshe. Nga çakulli dhe asfaltet e lagjeve, fillova të luaj në fushë me bar. Nga Tirana AS kalova tek një ekip tjetër kryeqytetas, FC Termi dhe më pas jam bërë pjesë e ekipit të Tiranës, ku vazhdoj të luaj edhe sot.

– Sa të vështirë është për ty të merresh edhe me futbollin, edhe me shkollën, edhe të dalësh me shoqërinë. Si e bën këtë ndarjen? Ke ‘hequr dorë’ nga shkolla për futbollin?

– Nuk mund të them që është e thjeshtë. Do të gënjeja. Futbolli do shumë përkushtim, do stërvitje, do kohën e tij. Ashtu sikurse shkolla dhe shoqëria. Në fillim mendoja vetëm të luaja futboll, por prindërit më thonë gjithmonë: Nuk mund të bëhesh një futbolliste e mirë, nëse lë pas dore gjërat e tjera që janë gjithashtu shumë të rëndësishme. Kam bërë një ndarje të drejtë për të gjetur kohë edhe për shkollën, edhe për familjen e shoqërinë time. Sigurisht, që sërish pak më shumë rëndësi i kushtoj futbollit, duke qenë se dëshira ime është të bëhem një futbolliste me emër.

-Për vajzat nuk është e lehtë të merren me futboll, po për ju si ka qenë? Kush ju ka mbështetur më shumë?

– Deri diku ka qenë e thjeshtë për mua. Prindërit më kanë mbështetur që në fillimet e mia. Nuk e kishin aspak problem që unë luaja futboll, përkundrazi, i pëlqente që unë merresha me sport dhe mbaja larg telefonin, ushqimet e pashëndetshme, etj. Por, ashtu si për çdo vajzë, babi ka qenë dhe është mbështetja ime më e madhe. Më ndjek në çdo ndeshje dhe më jep shumë kurajo. Dhe më pëlqen që edhe golat që unë shënoj, t’ia dedikoj pikërisht atij. Babit tim.

-Sa ka ndikuar futbolli te ju, në çdo aspekt të jetës? Ju kanë parë ndryshe apo diçka tjetër? Ju ‘kanë larguar’ nga shoqëria, apo asgjë nuk ka ndryshuar.

– Që kur jam bërë pjesë e kësaj bote të bukur të futbollit, kam njohur shumë shokë e shoqe të reja. Kam mësuar të jetoj me rregulla, të jetoj shëndetshëm. Të rri larg sa më shumë telefonit, të jetoj më afër fushës së futbollit. Shoqëria është mbështetje shumë e madhe për mua, madje vijnë më mbështesin edhe në stadium, kryesisht kur luaj ndeshje me ekipin kombëtar.

-Kohët e fundit futbolli i vajzave po merr mbështetje nga FIFA, UEFA dhe FSHF. Si e shikoni këtë?

– Uroj që të jem brezi që të shijojmë sa më shumë tifozë në shkallët e stadiumeve kur të luajmë futboll. Mua më vjen mirë që kemi mbështetje jo vetëm nga klubi, por edhe nga FSHF dhe uroj që të ketë edhe nisma të tjera në kuadër të zhvillimit të futbollit të vajzave.

-Ju jeni pjesë e kombëtares shqiptare. Çfarë domethënie ka për ju? Çfarë emocionesh ju jep të luani për Shqipërinë?

– Emocionet janë të veçanta, të papërshkrueshme. Sa herë shikoja ndeshje të ekipit kombëtar në televizor, e ëndërroja me shpirt të vishja një ditë atë fanellë dhe të zbrisja në fushë për të kënduar himnin e për të luajtur për Shqipërinë. Sot, jam pjesë e Kombëtarës dhe jam mëse e lumtur që luaj dhe përfaqësoj kombin tim.

– Si e more ftesën për të përfaqësuar Shqipërinë? Si e mban mend herën e parë te Kombëtarja? Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje atëherë?

– ‘Nuk mbahesha’ nga lumturia t’ju them të drejtën. Siç e thashë më sipër, e kisha ëndërruar gjithmonë, por kur vjen momenti, duket e pabesueshme. Grumbullimi i parë ka qenë në Durrës, me ekipin kombëtar U-17, nën drejtimin e profesor Agustin Kolës. Kam gjetur një ambient shumë të ngrohtë e familjar. Me shoqet u miqësuam shumë shpejt. Stërvitjet ishin ndryshe nga ato të klubit. Rrinim të gjitha shoqet bashkë dhe jam ndjerë shumë mirë.

– Po ftesën nga ekipi kombëtar U-19, si e mirëprite? Çfarë synimesh ke për të ardhmen?

– Babi im përdor gjithmonë një fjalë të urtë popullore. ‘Gur, gur bëhet kalaja’. Sigurisht që kalimi tek ekipi U-19 do të thotë shumë për mua. Është vlerësim ndaj meje dhe kam shumë dëshirë që të jap më të mirën time për këtë skuadër. Sigurisht, që në planet afatgjata synoj të luaj me ekipin kombëtar A, por përpara kemi një turne shumë të rëndësishëm dhe kam shumë dëshirë që me Shqipërinë U-19 të kualifikohemi në Elite Round.

-Çfarë mesazhi i jep vajzave që u thuhet se futbolli është vetëm për djem?

– Unë për vete kam vendosur që të mos dëgjoj askënd që është moralist dhe paragjykues. Falënderoj prindërit, shoqërinë dhe trajnerët që i kam mbështetje. Më mjafton besimi i tyre, më mjafton të besoj te vetja dhe të eci përpara. Të njëjtën gjë i them edhe shoqeve të mia që kanë dëshirë që një ditë të bëhen futbolliste.

Arena e Lajmit


‘Larg telefonit, më afër fushës’, Klesta Ago motivon me rrëfimin e saj: Kam ëndrra të mëdha, ja si e ndaj kohën mes futbollit, shkollës & shoqërisë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook