Deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferaj ka reaguar lidhur me zbulimin e kanabisit në territorin e repartit ushtarak në Zall Herr, si dhe arrestimin e zyrtarëve në kuadër të operacionit të koduar “Metamorfoza”. Sipas Xhaferrajt, ‘droga po pushton edhe bastionin e fundit në Shqipëri, ushtrinë’.
Reagimi i plotë:
Trafiqet dhe korrupsioni kanë minuar gradualisht të gjitha institucionet shqiptare duke zhbërë turpshëm asistencën ndërkombëtare për ndërtimin e shtetit ligjor në Shqipëri, ndërsa dosja e SPAK “Metamorfoza”, ku kupola e Policisë ishte vënë në shërbim të krimit, e konfirmon më së miri këtë.
Por, sëfundmi u konstatua se edhe infrastruktura e ushtrisë, bastioni i fundit ku mendohej se ndërkombëtarët kishin implementuar një standard perëndimor të funksionimit, po përdoret për kultivimin e kanabisit.
Të gjithë mund të pyesin se, si është e mundur që ushtria shqiptare, aq shumë e përfshirë në trajnime, asistence dhe bashkëpunim me ushtritë e vendeve të tjera anëtare të NATO-s, të përfshihet në kultivimin e kanabisit?
Përgjigjja gjendet tek një shprehje e njohur në romanin “Dhe Lind Dielli” të Ernest Hemingway, kur një nga personazhet, i quajtur Mike Cambell, u pyet se si falimentoi, ai dha përgjigjen: “Në dy mënyra, gradualisht pastaj menjëherë”.
Duket se sipas së njëjtës skemë po falimentojnë edhe investimet ndërkombëtare për stabilitetin e gënjeshtërt në Shqipëri.
Është fakt i ditur se regjimet despotike mund të prodhojnë vetëm ‘paqen e varrezave’ ku dhuna për të imponuar heshtjen janë parimi dhe qëllimi i regjimit. Dhuna brutale e Rrahjeve në Fushë-Krujë apo e shoqëruesit të Kryetares së Kuvendit në Sukth, të Durrësit, janë edhe evidenca më e fundit. Të gjithë duhet të bëjmë kujdes sepse Shqipëria po marshon drejt skemës: Gradualisht, pastaj menjëherë!