“Me projektin ‘Step by Step’ fuqizojmë lojtarët që luajnë në Shqipëri”, trajneri Behari: Kërkojmë bashkëpunim me klubet dhe Akademitë

“Step by Step” është projekti më i ri i Federatës së Futbollit që pritet të marrë jetë duke nisur nga ky muaj. Projekti i iniciuar nga Drejtoria Teknike e FSHF-së do të vihet për herë të parë në zbatim duke nisur nga data 12 gusht sipas një programi të koordinuar në detaje me Departamentin e Ekipeve Kombëtare dhe trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave U-15, U-17 dhe U-19.

Ky projekt ka si qëllim të angazhojë të gjithë futbollistët e këtyre grupmoshave të cilët jetojnë në Shqipëri e janë pjesë e ekipeve tona kombëtare të këtyre moshave. Dy ditë në javë, lojtarët do të grumbullohen në Shtëpinë e Futbollit me trajnerët dhe do të punojnë në aspektin fizik e teknik, por mbi të gjitha në aspektin taktik individual.

Trajneri i Kombëtares U-17, Ardi Behari në një intervistë për fshf.org shprehet se përmes projektit “Hap pas hapi”, synohet që të rritet sa më shumë cilësia e lojtarëve vendas, të cilët janë pjesë e klubeve dhe akademive shqiptare, në mënyrë që ato të bëhen baza e ekipeve kombëtare të moshave.

“Me projektin ‘Step by Step’ është bërë një lloj prove gjenerale në muajin qershor me ekipin kombëtar U-17. Janë bërë gati 8 seanca stërvitore me lojtarët e kampionatit shqiptar që janë pjesë e ekipeve tona kombëtare. Është një program gjithëpërfshirës, që përfshin të gjitha ekipet ‘UNDER’ 15, 17, 19, duke konsistuar në rritjen e elementëve, jo vetëm fizikë të lojtarëve shqiptarë, por më shumë elementëve tekniko-taktikë.

Është luftë me kohën sepse është një iniciativë që konsiston në faktin që të gjithë lojtarët shqiptarë nuk duhet të presin vetëm grumbullimin me kombëtaren për të përmirësuar cilësitë e tyre. Përkundrazi, është një program ku do të punohet me lojtarët e kampionatit shqiptar minimalisht dy herë në javë në ‘Shtëpinë e Futbollit’, jo vetëm për të rritur cilësitë e elementëve fizike dhe tekniko-taktikë individualë, por edhe në reparte. Qëllimi kryesor është që baza e ekipeve kombëtare të moshave të bëhen lojtarët e kampionatit shqiptar. Lojtarët që do të vijnë nga jashtë janë ata që do të bëjnë diferencën” – thotë trajneri Behari, ndërsa thekson se ky projekt kërkon jo vetëm përkushtim, por edhe bashkëpunim të FSHF-së me klubet dhe akademitë shqiptare për programet stërvitore. Ndër të tjera, tekniku shqiptar nënvizon se projekti “Step by Step” është mirëpritur nga klubet në Shqipëri, teksa shprehet se për vënien në jetë të këtij projekti është e përfshirë e gjithë Drejtoria Teknike e FSHF-së.

“Ne duhet të ngremë specifikën e çdo lloj cilësie të çdo lloj lojtari që kemi në dispozicion në ekipet shqiptare. Kjo kërkon përkushtimin tonë dhe bashkëpunimin me klubet shqiptare, me Akademitë, ku militojnë lojtarët tanë. Dhe nuk ka munguar bashkëpunimi. Ne shikojmë predispozicion të madh edhe nga klubet vetë sepse interesohen për rritjen e lojtarëve të tyre. Dhe nuk ngelet vetëm te procesi i formimit të lojtarëve, por edhe te bashkëpunimi me klubet për programet stërvitore. Është shumë esenciale sepse ne nuk mund të pretendojmë që lojtari të zhvillohet me dy seanca në javë. Lojtari zhvillohet në klubet e tyre. Federata ka nisur bashkëpunimin edhe në programet teknike me të gjithë klubet dhe interesimi është shumë i madh. Në këtë projekt është e përfshirë e gjithë Drejtoria Teknike e FSHF-së, përgatitës atletikë, fizioterapistë, doktorë, Sektori i Portierëve e të gjithë me radhë” – thotë ndër të tjera trajneri shqiptar.

“Të prodhojmë prototipin e lojtarit shqiptar që është kërkesë për ekipin A” – thotë Ardi Behari, i cili thotë se nga ky projekt nuk përjashtohen futbollistët shqiptarë që luajnë në kampionatet e huaja, por ata janë lojtarët që do të bëjnë diferencën në ekipin kuqezi. Sakaq, futbollistët e kampionatit shqiptar duhet të jenë baza e ekipeve kombëtare të moshave.

“E gjitha kjo bëhet për të sjellë sa më shumë lojtarë shqiptarë në ekipin kombëtar A, për të vënë sa më shumë theksin tek ata. Sepse, kanë përfitime jo vetëm nga ana tekniko-taktike, por edhe nga ana e personalitetit dhe për t’u ndjerë pjesë e rëndësishme e ekipeve kombëtare të moshave. Duke jetuar bashkë 2-3 herë në javë, duke u stërvitur në kushte të shkëlqyera me një vëzhgim special dhe me interes të vazhdueshëm dhe të madh themi që mbushim ekipet e moshave deri tek ekipi A. Prodhojmë prototipin e lojtarit që është kërkesë për ekipin A. Shpresa më e madhe është që të minimizojmë sa më shumë lojtarët që vijnë nga jashtë. Jo për diskriminim, por sepse produkti ynë duhet të jetë baza e ekipeve kombëtare. Lojtari që vjen nga jashtë duhet të bëjë diferencën. Dhe që të ndodhë kjo, duhet që të çojmë në të njëjtin nivel lojtarët shqiptarë me lojtarët që luajnë jashtë” – nënvizon trajneri i ekipit kombëtar U-17, Ardi Behari, i cili ka edhe një mesazh për të gjithë lojtarët shqiptarë gjatë pushimeve verore.

“Të gjithë lojtarët që kanë shkuar me pushime janë pajisur me një program individual për stërvitjet individuale verore deri në momentin që të grumbullohen sërish në skuadrat e tyre. Mesazhi im është i thjeshtë dhe i qartë: Sa më shumë punë individuale! Nuk mund të bëhesh sportist duke u mjaftuar me stërvitjen e trajnerit. Ai që do të bëhet futbollist është ai që vlerëson vullnetin e tij. Dhe vullneti konsiston në faktin e përmirësimit të elementëve të dobët. Pjesa tjetër është pasion. Një futbollist teknik i cili del për stërvitje individuale dhe bën xhonglime me top, nuk ka bërë stërvitje, por ka përmbushur pasionin e tij. Një lojtar teknik, që ka probleme fizike, duhet të vrapojë sa më shumë që të jetë e mundur për të përmirësuar anën fizike të tij”- përfundon për fshf.org trajneri dhe specialisti i futbollit, Ardi Behari.

Arena e Lajmit


“Me projektin ‘Step by Step’ fuqizojmë lojtarët që luajnë në Shqipëri”, trajneri Behari: Kërkojmë bashkëpunim me klubet dhe Akademitë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook