“Prisni se nuk keni parë gjë akoma”- Meme e Ramës tërheq vëmendjen e mediave në Itali: Kryeministri shqiptar “shuplakë” turistëve italianë, ironizon eksodin e 1991
Një postim i kryeministrit të vendit Edi Rama në rrjetet e tij sociale ka tërhequr vëmendjen e mediave italiane ditën e sotme.
Një ditë më parë Rama krahasoi fluksin e shqiptarëve që emigronin drejt Italisë në vitin 1991 me turistët italiane që tashmë vijnë për pushime në vendin tonë.
“Shqiptarët nisen për në Itali 1991! Italianët nisen me pushime drejt Shqipërisë 2023”, shkruan Rama në gjuhën italiane, ndërsa e shoqëron me një foto nga eksodi i shqiptarëve. “…dhe prit, s’keni parë gjë akoma”, vijon më tej.
Megjithatë mediat italiane shkruajnë se kjo është një “shuplakë” e kryeministrit Rama për turistët italianë.
“Kryeministri shqiptar Edi Rama i gëzohet numrit të turistëve italianë në Shqipëri dhe në rrjetet sociale publikon një fotomontazh që ngjall diskutime”, shkroi Il Giornale.
“Ironia e kryeministrit shqiptar u shkaktua pas një sërë artikujsh, të cilët nxirrnin në pah se si në fakt është rritur numri i turistëve italiane në vendin fqinj ballkanik”, vijon e përditshmja italiane.
Edhe Corriere della Sera shkruan se “Rama ironizon eksodin e 1991-shit”.
“Kryeministri shqiptar Edi Rama kujton përmes rrjeteve sociale se si kohët kanë ndryshuar, dhe rrjedha është kthyer mbrapsht. Në një postim në Instagram, kryeministri tregon dy momentet nga ulja e anijes “Vlora” në portin e Barit tashmë tridhjetë e dy vjet më parë”, shkruan gazeta italiane.
“Nëse më parë ishin shqiptarët që u larguan nga vendi në Itali pas gati gjysmë shekulli diktaturë komuniste, sot janë italianët ata që “pushtojnë” Shqipërinë për të kaluar pushimet buzë detit përgjatë brigjeve nga veriu në jug, veçanërisht midis Vlorës , Sarandës dhe Ksamilit. “Dhe prisni, nuk keni parë gjë akoma”, është mesazhi i Ramës që shoqëron fotomontazhin ku etiketon Corriere”, shkruhet në lajmin e medias italiane.