Fran Tuci ish-kryebashkiak i Fushë Arrëzit është transferuar në spitalin e burgut për shkak se ka shfaqur probleme shëndetësore. Ai ndodhej në paraburgimin e Recit në Shkodër.
Tuci është arrestuar me urdhër të SPAK. Lajmi u bë i ditur për nga gazetarja Klodiana Lala. Tuci dhe ish-administratori i njësisë administrative Iballe, Ndoc Marku akuzohen se dhanë leje për një rruge në një fshat të thellë të kësaj njësie, ndërsa akuzohen për shpërdorim detyre dhe shkatërrim prone.
Vlerësimet e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit flasin për një dëm prej më shumë se 2 milionë euro, të shkaktuar nga dëmtimi i terrenit dhe shpyllëzimi i sipërfaqes nga e cila është përfituar rruga e hapur privatisht.
Prokuroria e posaçme ka shpjeguar se nga hetimet “ka rezultuar e provuar se ish-titullari i Bashkisë Fushë Arrëz, në bashkëpunim më ish-Administratorin e Njësisë Administrative Iballë, me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë në të njëjtën kohë edhe pasojë të rëndë materiale për shtetin, kanë lejuar hapjen e një segmenti të ri rrugor auto rural, të pamiratuar më parë nga autoritetet kompetente”.
Po ashtu Prokuroria bën të ditur se kompania private “duke vepruar në terren me mjete të rënda, pa pasur asnjë leje nga organet kompetente, ka shkaktuar shkatërrimin e pronës, duke kryer gërmime në volume të konsiderueshme dhe njëkohësisht duke shpyllëzuar fondin pyjor në pronësi të Bashkisë Fushë- Arrëz”. Ish-kryebashkiaku Tuci, ka drejtuar pushtetin vendor në Fushë Arrëz për dy mandate, si i zgjedhur partisë socialiste, nga viti 2015 deri para pak muajsh.
()