Ndërsa puna në kantierin e Vlora Marina vijon normalisht, qyteti i Vlorës ka nisur të ndiejë që tani efektet e këtij mega-projekti në planin ekonomik.
Ndikimin më të madh duket se po e përjeton tregu imobiliar, me rritjen e vlerës së pronës, ku të njëjtat njësi tani po shiten më shtrenjtë se një vit më parë.
Sipas të dhënave, ndryshimi i çmimeve për njësi shërbimi ashtu edhe për apartamentet, vetëm në pjesën e Lungomares ka variuar nga 57% më shumë në vijën e parë të saj për vitin 2023 krahasuar me çmimet e referencës për vitin 2022. Dhe me një rritje + 50% të çmimit për pronat në vijën e dytë për vitin 2023, në krahasim me një vit më parë. Një efekt domino, i cili është ndierë edhe në brendësi të qytetit, ku sot vlera e pronës ka patur një rritje të konsiderueshme.
Agjencitë imobiliare, pohojnë se me nisjen e punimeve për projektin e Vlora Marina, është vërejtur një kurbë rritëse e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme, duke bërë që në vitin 2023 ky trend të jetë edhe më i dukshëm. Sipas shifrave, në vitin 2021 metri katror në vijën e parë të Lungomares ishte rreth 1000-1200 euro, për të pësuar një rritje deri në 1800 euro në vitin 2022 dhe për të ardhur tek çmimi aktual për vitin 2023, ku një pronë në vijën e parë të shëtitores së re shitet me 2700- 2800 euro metri katror.
Ekspertët e tregur imobiliar, theksojnë se një ndër faktorët ndikues është edhe rritja e kërkesës nga klientët e huaj, të cilët duan të blejnë në Shqipëri dhe kryesisht në bregdet, i cili ofron çmime të favorshme dhe ende shumë më konkurruese se në vendet e tjera.
Promovimi i madh që po i bëhet Shqipërisë përmes projekteve elitare, të cilat në kohën që po ndërtohen vijnë edhe me një teknologji dhe arkitekturë të trendeve të fundit, po ndryshojnë tërësisht qytetet bregdetare.
Vlora Marina është një projekt i tillë, i përmasave që nuk transformon vetëm standardet e turizmit, por po sjell një transformim rrënjësor të qytetit dhe të të gjithë zonës. Sjellja e brandeve të njohura të hotelerisë, si Vlora Marriott Hotel në këtë projekt, gjithashtu ka dhënë impakt në rritjen e kërkesës e cila shkon paralelisht me rritjen e vlerës së pronës.
Qyteti i Vlorës pritet të jetë një portë kryesore prej nga do të hyjnë turistët elitar në vend, pas përfundimit të punimeve për Vlora Marina dhe ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, gjë që ka nxitur edhe më shumë rritjen e potencialit të zonës për investime në forma të ndryshme.
I vendosur në një nga pozicionet më të favorshme të qytetit, Vlora Marina sjell për herë të parë në Shqipëri një zhvillim urban miks, krejt autentik. Në një Marinë të klasit botëror me 438 vende për ankorim gjatë gjithë vitit, apartamente Premium me pamje ekskluzive nga deti dhe një rrjet të njohur të brandeve luksoze me 5 yje të hotelerisë dhe njësive të shërbimit.