Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në studion e News24 ka komentuar situatën rreth hetimeve të SPAK për koncesionin e sterilizimit së fundmi.
Lubonja deklaroi se kjo është një skemë e ngjashme me atë të inceneratorëve pasi ka vjedhje dhe mashtrim me paratë publike të taksapaguesve shqiptarë.
Sipas tij hetimi i SPAK është i vonuar dhe i paplotë duke gjykuar se ky rast ka 3 vite që hetohet që kur është denoncuar për herë të parë.
Sakaq, ai ka komentuar edhe ardhjen e kryeministres italiane Giorgia Meloni në Shqipëri për të kaluar disa ditë pushimi, duke thënë se kjo është një metodë e kryeministrit Rama për mbajtjen e pushtetit.
Ai shtoi se në këtë mënyrë shtohet vlerësimi i tij në sytë e opinionit publik duke marrë parasysh vlerësimin që ka Shqipëria për liderët e huaj.
Po ashtu, Lubonja ka komentuar edhe rastin e arrestimit të Fredi Belerit dhe nxitjen e protestave në Himarë, teksa deklaroi se qeveria ka eliminuar kryebashkiakun e zgjedhur të qytetit bregdetar “në një mënyrë arrogante” për shkak të “grabitjeve në jug”.
Sipas tij është kërkuar që opinionit publik t’i “shpëlahet truri duke ngjallur ndjenja nacionaliste dhe anti-greke” me të kaluarën e Belerit.
“Është një skemë e ngjashme me inceneratorët, ka vjedhje dhe mashtrim me paratë publike. Bëhen denoncimet e para dhe del në skenë kryeministri ynë i famshëm e justifikon veprimet duke mbyllur dhe gojën e mediave që denoncojnë. Ky rast ka 3 vite që hetohet dhe rezultati është se edhe në rastet kur duhej një bisturi e vetme shitej e gjithë pakoja e mjeteve kirurgjikale. Me paratë që merrnin në një vit këta, shteti mund të paguante për 10 vite.
3 vite janë shumë për të hetuar dhe përgjegjësit kryesorë janë të mbrojtur. I pari është kryeministri që mban përgjegjësi edhe pse s’ka firmosur. Me gjithë sinjalizimet e medias këta kanë bërë sikur kjo histori nuk ekzistonte dhe vetëm kur bëhet mullar del historia.
Vizita e Melonit është një metodë e Ramës edhe për mbajtjen e pushtetit, duke bërë që të huajt ta vlerësojnë në sy të opinionit publik. Rama këtë punë ka, nuk qeveris për Shqipërinë. Këto milionat e inceneratorëve duhen për të blerë edhe këta të rëndësishmit. Meloni konsiderohet si e djathtë më ekstreme sa i përket disa qëndrimeve të saj.
Rama i ka dhënë Italisë ujërat që vijnë nga jugu i Shqipërisë, sepse Puglia nuk ka ujë. Uji është pasuri kombëtare dhe ne kemi nevojë. As mediat nuk e thonë këtë, është marrëveshje. I duhet edhe mbështetja e Italisë për anëtarësimin. Ne kemi një ambasadë që informon qeverinë e vetë. Gjithë ky korrupsion, ndërtime kullash, etj. Meloni duhet të vijë e informuar dhe jo për t’u përdorur si fasadë për të mbuluar këto probleme.
Takimet që vijnë nga miqësitë e këtij janë degjenerim i politikës. Këto të gjitha bëhen në funksion të fuqisë personale të zotërisë. Do kishte të keqe nëse do siguronte mbështetjen e Italisë në këtë mënyrë se do kishte një mashtrim. Do thonë shqiptarët se u futëm në BE dhe nuk ndodh asgjë. Shqipëria ka nevojë që BE të ndjekë standardet për anëtarësimin.
Këtu duan t’u shpëlajnë trutë opinionit publik për Belerin për të ngjallur ndjenja anti-greke dhe nacionaliste. Këtu nuk është kjo çështja. Rasti i Belerit është rasti kur pushteti i shqetësuar për grabitjet që po bën në jug ka interes që këtë ta nxjerrë jashtë loje dhe ka vepruar në mënyrë arrogante ta eliminojë në këtë mënyrë”, u shpreh ai.