Gazetarja Klodiana Lala në rubrikën “Opinion” në News24 foli për aplikacionin SKY dhe zbardhjen e bisedave apo përgjimeve që janë bërë nga ky aplikacion.
Gjatë bisedës në studio gazetarja u shpreh se ky është vetëm fillimi dhe se me vijimin e hetimeve mund të ketë të tjera ngjarje të mëdha.
“Operacioni Metamorfoza na tregoi se si krimi i organizuar ishte bërë një me Policinë e Shtetit, me zyrtarë të drejtësisë, por edhe investitorë strategjikë ishin përfshirë në krime të rënda. Aplikacioni SKY është një telefon i posaçëm dhe jo të gjithë mund ta përdorin dhe ka një linjë të dedikuar që pretendohej nga përdoruesit që nuk do të gjurmohej asnjëherë nga autoritetet.
Në mos gaboj janë rreth 8 mijë përdorues nga Shqipëria që janë njerëz të krimit të organizuar, të biznesit, politikës pra njerëz që kanë mundësi ekonomike. Pra janë njerëz që kanë pushtet financiar për ta pasur. Por patjetër që është vetëm fillimi nga ajo çfarë do të nxjerrë ky aplikacion. Prokuroria e Posaçme është duke zbardhur dhjetëra fajde, që kanë ardhur nga autoritetet e huaja, ato belge, franceze dhe holandeze. Ishin belgët që e zbërthyen për herë të parë.
Në këto 8 mijë përdorues a janë të gjithë kriminelë? Këtë nuk mund ta them sepse aty është duke u hetuar. Prokuroria e Posaçme është duke u përpjekur të lidhë bisedat me faktet konkrete. Në rastin e Gjin Boriçit ishte vrarë personi dhe vendi përkonte me përshkrimin që bëhej në aplikacion, pra aty është folur për shumë gjëra. Operacioni Metamorfoza kishte përdorim të emrave të tretë për faktin se mesa duket deri tani nuk janë gjetur elementë të veprës penale. Por ata që menduan se ishin të paprekshme u tradhtuan nga ajo platforma që e konsideronin shumë mbrojtëse. Por një avokat më ka thënë se nëse vazhdohet më këtë mënyrë gjysma e politikës shkon në burg”, ka thënë ndër të tjera gazetarja Lala.
()