Një 29-vjeçar i shpallur në kërkim për kultivim dhe tregtim të lëndëve narkotike, është arrestuar pasditene sotme.
Uniformat blu bëjnë me dije se i riu u kap teksa punonte në një lavazh në afërsi të urës së Dajlanit në Durrës.
Sakaq shtetasi me iniciale K. M. akuzohet se ka bashkëpunuar me një shtetas tjetër, për të transportuar 27.6 kg kanabis.
Njoftimi i policisë:
Gjirokastër/Vijon puna për lokalizimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Koordinimi i punës dhe shkëmbimi i informacioneve ndërmjet policive të Gjirokastrës, Durrësit dhe Vlorës, çoi në pranga shtetasin e shpallur në kërkim në kuadër të 2 operacioneve antidrogë.
29-vjeçari i ndaluar, me 2 masa sigurie, i akuzuar nga Gjykata e Gjirokastrës për transportimin e 27.6 kg cannabis sativa, dhe i akuzuar nga Gjykata e Vlorës për kultivim dhe prodhim të cannabis sativës, në ambient të mbyllur, me anë të llambave.
29-vjeçari u kap teksa punonte në një lavazh në afërsi të urës së Dajlanit, Durrës.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, si rezultat i shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit të veprimeve policore me drejtoritë vendore të Policisë, Durrës dhe Vlorë, për vendndodhjen e një shtetasi me precedent të theksuar kriminal në fushën e narkotikëve, kanë lokalizuar në një subjekt (lavazh), në afërsi të urës së Dajlanit, Durrës, shtetasin e shpallur në kërkim K. M., 29 vjeç.
-Gjykata e Gjirokastrës i ka caktuar 29-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Shtetasi K. M. akuzohet se ka bashkëpunuar me një shtetas tjetër, për të transportuar 27.6 kg lëndë narkotike cannabis sativa. Ky rast u konstatua dhe u godit nga Policia e Gjirokastrës, në vendin e quajtur “Kthesa e Sofratikës”, më datë 24.01.2022, në kuadër të operacionit policor të koduar “Transporter”.
-Gjykata e Vlorës i ka caktuar shtetasit K. M., masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”. Në magazinën e marrë me qira nga shtetasi K. M., në fshatin Volloder, u gjetën të kultivuara me anë të llambave që furnizoheshin me energji elektrike të vjedhur, 100 bimë narkotike cannabis sativa. Gjithashtu në ambientet e kësaj magazine u gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa. Ky rast u konstatua dhe u godit nga Policia e Vlorës, më datë 26.01.2022, në kuadër të operacionit policor të koduar “Volloder”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
()