TIRANË
Për ish-kryeministrin Sali Berisha reagimi i Presidentit të Republikës Bajram Begaj për samitin në Athinë të organizuar nga kryeministri grek Mitsotakis është i pamenduar.
Berisha ka reaguar sot në lidhje me takimin në Greqi të liderëve të Ballkanit Perëndimor të thirrur nga Mitsotakis, teksa shkruan se refuzimi i Shqipërisë për të marrë pjesë është vetëpërjashtim nga një nismë europiane.
Ai thotë më tej se kryeministri i Greqisë nuk ftoi me të drejtë Edi Ramën për shkak të shkeljes nga ai i të drejtave kushtetuese në rastin Beleri në veçanti dhe se ftesën për Shqipërinë ia ka dërguar në përputhje edhe me protokollin europian të këtyre samiteve, Presidentit të Republikës.
Por sipas Berishës, në një akt të pamenduar, Presidenti i Republikës de facto ka refuzuar ftesën duke menduar se me refuzimin e tij do t’i imponojë kryeministrit Mitsotakis të ftojë Edi Ramën.
POSTIMI I PLOTË I BERISHËS
Refuzimi i ftesës për Samitin e Athinës është bojkot, vetëpërjashtim nga një nismë europiane
Të dashur miq, Greqia është vendi i deklaratës të Samitit të Selanikut, dokumentit ligjor themelor të zotimit zyrtar të Bashkimit Europian për ofrimin dhe sigurinë e perspektivës europiane, vendeve të rajonit tonë nga BE. Në këtë kuadër kryeministri i Greqisë, Qirjako Micotaqis (Kyriakos Mitsotakis), organizon takim të nivelit më të lartë me liderët e vendeve të rajonit në të cilin marrin pjesë presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Europian Charles Michel dhe personalitet e tjera kryesore të BE.
Kryeministri i Greqisë nuk ftoi me të drejtë Edi Ramën për shkak të shkeljes nga ai i të drejtave kushtetuese, të drejtave që garanton Konventa Europiane të Drejtave të Njeriut dhe Kodi Zgjedhor, e ligje të tjera të vendit të qytetarëve shqiptar në farsën elektorale më 14 maj në tërësi dhe rastin Beleri në veçanti. Por ai ftesën për Shqipërinë ia ka dërguar në përputhje edhe me protokollin europian të këtyre samiteve, Presidentit të Republikës. Mirëpo në një akt të pamenduar në vlerësimin tim, Presidenti i Republikës de facto ka refuzuar ftesën duke menduar se me refuzimin e tij do t’i imponojë kryeministrit Mitsotakis të ftojë Edi Ramën.
Me këtë akt z.Begaj midis interesave europiane të shqiptarëve dhe interesave mafioze personale antieuropiane të Edi Ramës, zgjodhi Edi Ramën. Ai mori përsipër të bojkotojë samitin dhe refuzoi ftesën.
Reagimi i presidentit është i pamenduar dhe nuk përfaqëson mendimin dhe interesat europiane të qytetarëve dhe forcave politike të vendit as dhe detyrimet për një fqinjësi të mirë, por strikt mendimin e Edi Ramës dhe interesat mafioze të këtij të fundit.
Presidenti i Republikës në vend të ndërhyrjes për zgjidhjen e problemit Beleri, të stisur nga Edi Rama nga alfa tek omega dhe në shkelje të ligjeve të vendit, zbaton urdhrat e Ramës.
Ai e di shumë mirë se zgjedhjet e 14 majit ishin farsa më e shëmtuar zgjedhore në historinë e pluralizmit politik dhe qëndrimi i shëmtuar i Edi Ramës ndaj Fredi Belerit është personal antikushtetues dhe në shkelje të ligjeve të vendit dhe vlerave të një shoqërie të lirë.
Beleri u arrestua me një kurth të llojit të sigurimit të shtetit të kurdisur, me porosi të Ramës nga Ardi Veliu pa asnjë provë, por vetëm me urdhër politik. Ai qëndron në burg me urdhër politik dhe në kundërshtim të hapur me ligjin shqiptar mbasi nuk paraqet asnjë rrezikshmëri, pra nuk plotëson asnjë kusht ligjor për mbajtjen e tij në paraburgim.
Presidenti e di mirë se Beleri, kandidat i opozitës, fitues i zgjedhjeve në Bashkinë e Himarës, mbahet në burg në kundërshtim flagrant me kushtetutën e vendit, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe ligjet e vendit në bazë të të cilave atij i takon mandati që ia kanë dhënë qytetarët dhe që Edi Rama kërkon t’ia marrë me çdo kusht.
Në ligjet e vendit nuk ka asnjë nen që e pengon Fredi Belerin të bëjë betimin si kryetar i zgjedhur i Bashkisë Himarë me votën e qytetarëve dhe për këtë ekziston edhe precedenti i disa viteve më parë.
Pretendimi i Edi Ramës se në rastin e Belerit ai po respekton vendimet e gjykatave të tre shkallëve të sadushit dhe sadushes është thjesht një gjethe fiku dhe diskreditim i sistemit gjyqësor të kontrolluar prej tij. Gjykatat nuk mund të shkruajnë ligjet e vendit, por duhet t’i zbatojnë ato me paanësi.
Duke përfunduar, denoncoj publikisht të gjitha këto qëndrime që kanë në bazë interesat mafioze të Edi Ramës dhe klaneve të tij të drogës për trojet dhe tokat e Himarës dhe vijnë në kundërshtim të hapur me interesat demokratike dhe europiane të shqiptarëve, kërkoj lirimin e menjëhershëm të të burgosurit politik Fredi Beleri dhe përfaqësimin e Shqipërisë në Samitin e Athinës. #sb