Preç Zogaj
Kryetarja e qeverisë italiane, Giorgia Meloni, ndau pak ditë nga pushimet e saj të gushtit në Pulia për t’i kalur në bregun përkundruall, në Vlorën tonë, me ftesën e homologut të saj shqiptar, Edi Rama.
E para në llojin e vet, ngjarja pohoi marrëdhëniet konstante shumë të mira mes dy vendeve nga viti 1990 e këndej. Kryeministra të mëparshëm italianë, si fjala vjen, Prodi, D’Alema, Berluskoni apo shtetarë të lartë në Romë mund të kishin ardhur për të pushuar dy- tre ditë në Shqipëri si në shtëpinë e tyre. Siç kanë ardhur për punë e na janë gjendur në ditë të mira e të këqija.
Giorgia Meloni është e para që theu akullin. Dallgët e Otrantos më saktë. Vetëm për kaq meriton nderimin tonë. Natyrisht, ardhja e saj dëshmon hopin cilësor të turizmit në vendin tonë.
Dihet se pushimet e shtetarëve të lartë në vende të tjera kanë domethënie politike. Ndaj nuk është për t’u habitur që zbarkimi i zonjës Meloni me familjen e saj të ngushtë në Vlorë u përcoll me një festival hamendjesh e opinionesh për arsyet e ardhjes së saj. Siç ishte përshembull pandehma me ngjyrime konspiracioniste sikur erdhi këtu për të dhënë me rroba plazhi një mesazh të karakterit gjeopolitk të Romës, si patronazhiste e deleguar e oksidentit për Shqipërinë, në kontektin e ngjarjeve të Himarës. Megjithëse të tre vendet, Italia, Shqipëria dhe Greqia janë në NATO. Apo pandehma tjetër e rimarrjes në mënyrë informale, si parathënie e mënyrës formale, të temës së investimeve strategjike italo-shqiptare që hyjnë e dalin nga frigoriferët e politikës apo muhabeteve prej shumë vitesh në Tiranë dhe në Romë. Siç janë, fjala vjen, ndërtimi i një centrali bërthamor në Shqipëri, ndërtimi i një ujësjellësi që do të çojë ujë të pishëm nga Jugu i Shqipërisë në disa rajonë të Jugut të Italisë, shpim-kërkimet për naftë nga kompani italiane, nxitja e realizimit të projekteve të energjisë së erës të hartuara nga kompani italiane gjatë viteve 2005-2009, që kanë mbetur në letra, e tjerë.
Duke e përjashtuar vërejtjen ironike të mediave italiane, opozitare me qeverinë, sikur zonja Meloni erdhi në Shqipëri sepse pushimet këtu kushtojnë më lirë se në Pulia, mund të themi, pa frikën e rënies në thjeshtëzim të gjësë, se erdhi për qejf, për kuriozitet – dhe kjo e lartëson përmasën njerëzorë të saj; Erdhi e nxitur edhe nga komplimentet e shumta që i bëri paraprakisht zoti Rama në disa media italiane të majta e të djathta. Lidhur me këtë edhe marrëdheniet e mira në rrafshin personal, që është parë edhe në përqafimet për poza dhe klikime, të tipit “ta ha veshin” nga ana e Ramës , gjë që mua më është dukur banale, e rëndomtë. Por e pranoj se vaniteti i shartuar me thjeshtësinë e ka ulur kudo piacën e asaj që dikur ishte dhe quhej klas.
Nuk kam mundur të jem i informuar ku e ka dëshmuar zonja Meloni cilësinë e të qënit një tigreshë, si e ka cilësuar Rama në intervistat e tij, një totem ma merr mendja i papëlqyeshëm për një grua. Nëqoftë se është fjala për qëndrimet e saj të vendosura në mbështje të Ukrainës, për të cilat meriton t’i hiqet kapelja, duhet të themi se partitë konservatore, përshirë ato të vokacionit sovranist, siç ishte dhe ndoshta është akoma partia në pushtet “Ligj dhe Drejtësi” në Poloni, janë sot, në përgjithësi, në pararojë të euroatlantizmit përkundrejt rrezikut dhe terrorizmit shtetëror rus. Te themi edhe tjetrën që opozita italiane e qendrës së majtë është qartazi në mbështetje të Ukrainës, gjë që e ndihmon zonjën Meloni të mos merret zvarrë nga ekuivoket e aleatit të saj të Lidhjes së Veriut, Mateo Salvini.
Diskrecioni i zonjës Meloni, i përligjur duke qenë me pushime, i ka lënë në nivel hamendjesh, pse jo spekullimi, gjithë sa janë thënë për aspektin politik të qëndrimit të saj në Vlorë si pushuese.
Por ka dalë një gjë në publik që ka eklipsuar krejt qëndrimin. E tha vëtë për mediat dhe publikun italian në kontekstin e zhurmës që shpërtheu atje në lidhje me akuzat se kishte paguar nga buxheti i shtetit faturën e papaguar të katër shtetasve italianë në Berat. Po të mos e kishte rrëfyer me gojën dhe shkrimin e saj nuk do ta kisha besuar se për katër italianët që ikën pa paguar nga një restorant në Berat, i kishte treguar Rama. Në këtë moment ajo është ndjerë e turpëruar me bashkatdhetarët e saj dhe, pa e vënë në dukje, e habitur, pse jo e fyer nga mikpritësi homolog. Ajo i ka kërkuar ambasadorit italian të shkojë dhe të paguajë pa humbur kohë faturën në emër të saj.
Në Shqipëri kanë ardhur deri tani, pa mbaruar ende vera, rreth 500 mijë turistë italianë, sipas agjensive të qeverisë. Ata paguajnë qëndrimin në hotele dhe shtëpi private, paguajnë restorantet, dyqanet, çadrat dhe gjithçka për të cilat ka nevojë një turist. Ata i kanë sjellë para sipërmarrësve, tregëtarëve, buxhetit të Shqipërisë. 499.996 kanë paguar dhe paguajnë në rregull. Me siguri pa mundësi të plota trasparence edhe për shkak të gjuhës dhe mungesës së kontrolleve. Që do të thotë se po të llogarisim sa u hanë në kandar dhe si ua fusin me çmimet andej-këndej xhambazët tanë, të cilët na e punojnë edhe ne që jemi vendas, del se atë faturën e shkretë të katër të pandërgjegjëshmeve në Berat, e kanë stërpaguar me dhjetra e qindra herë në total bashkatdhetarët e tyre turistë. Rri e mendoj për ç’arsye do të kenë ikur pa paguar vallë? A kishte arsye të turpërohet kryeministria italiane me gjestin e tyre që u bë shkas i artikujve kritikë që ngriti shtypi italian me dyshimin se ajo e kishte paguar faturën nga fondet e qeverisë. O tempora! Italia me gjashtëdhjetë milion banorët e saj është në çdo sekond kudo nëpër botë. A mund të turpërohet kryeministri italian për çdo proçkë, paturpësi apo krim të disave prej tyre? A mund të turpëroheshin e të turpërohen kryeministrat e Shqipërisë për vjedhjet dhe krimet e një pakice shqiptarësh nga masa njëmilionëshe e emigratëve tanë në Itali, Greqi e tjerë? Po të ishte kështu, i bie që kryeministrat të jenë tërë kohën non stop të skuqur deri te veshët dhe të rrinë pa bukë duke shlyer nga xhepi detyrime. Pyll pa derra nuk ka. Por është e qartë se zonja Meloni është ndjerë keq duke ia thënë në bukë.
Episodi i ka gjithë elementët e zënies së bukës në gojë mysafires së shquar. Pa dashje sigurisht, për humor, por kjo s’ka pikë rëndësie në nivele të tilla. Më thotë një mendje se duke marrë përsipër ta paguajë atë faturë, zonja Meloni ka paguar simbolikisht darkën a drekën që i ka ofruar kryeministri i Shqipërisë. Duke na e kaluar radhën ne si vend për t’u ndier të turpëruar.