TIRANË
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se “ekzistojnë të dhëna tronditëse që SPAK për të manipuluar sipas urdhrave, hetimet, operon me kontrata të falsifikuara dhe jo origjinale”.
Berisha tha para mediave se kontrata origjinale e koncesionit të sterilizimit, për të cilën u raportua se nuk gjendet është e depozituar në disa institucione, duke i renditur ato.
“PD informon publikun se ekzistojnë të dhëna tronditëse që pohojnë se SKAP-i i partisë, për të manipuluar sipas urdhrave, hetimet, operon me kontrata të falsifikuara dhe jo origjinale.
Dje, mediat informuan nga prokuroria e posaçme se ky organ nuk kishte kontratën origjinale të vjedhjes së dytë të shekullit.
Informojmë shqiptarët se kontrata origjinale është e depozituar:
-Në Prokurorinë e Tiranës, e cila pas 3 vitesh dhe 300 mijë euro ryshfet, e shpalli atë në përputhje me ligjin.
-Në protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë.
-Në Ministrinë e Drejtësisë.
-Në Ministrinë e Financave, thesari i të cilës nuk mund të bëjë asnjë pagesë pa pasur kontratën origjinale.
-Në FSDKSH, organ që mund t’i bëjë asnjë pagesë kontraktonit pa kontratën origjinale.
-Kopjen origjinale e disponojnë të gjithë spitalet ku kryhet shërbimi.
-Kopjen origjinale e ka kontraktori i këtij shërbimi.
Për të gjitha këto, PD u bën thirrje qytetarëve të ngrihemi sa më parë në protesta të fuqishme për të marrë në dorë fatin tonë dhe për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo organizatë kriminale që drejtohet nga Edi Rama”, deklaroi Berisha.