Mjafton një gjest, një puthje në buzë gjatë momentit të ceremonisë së ndarjes së medaljeve, për të zbehur magjinë e suksesit të Spanjës në Botëror. Puthja e Luis Rubiales, presidentit të Federatës Spanjolle, me Jenni Hermoso, ka bërë xhiron në rrjet, një gjest që nuk është pritur aspak mirë nga opinioni sportiv duke e cilësuar si të papërshtatshme. Nuk e ka pëlqyer shumë as futbollistja që gaboi nga pika e bardhë e penalltisë:
“Nuk më pëlqeu”, u shpreh Hermoso në rrjetet sociale. Fakt është që Rubiales i ka qëndruar shumë pranë ekipit përfaqësueses gjatë Botërorit që u zhvillua në Australi dhe Zelandën e Re, është parë në qendrën stërvitore, në stërvitje etj, ndërsa në dhomat e zhveshjes i premtoi pushime në Ibiza. Në një reagim për Radio Marca, Rubiales nuk e uli tonin:
“Ka idiotë kudo. Nuk duhet t’i kushtojmë vëmendje këtyre idiotëve. Jemi kampion bote, të shijojmë gjërat e bukura. Nuk kishte ligësi në atë gjest”, u shpreh presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit. Ndërkohë, post finalja e Botërorit, prodhoi një episod dramatik. Olga Carmona, autorja e golit të fitores, mësoi vetëm pas finales se babai i sajë kishte ndërruar jetë, pasi stafi ja kishte mbajtur të fshehtë për të mos e shpërqendruar.
()