Në pritje që Pavard të zyrtarizohet tek Inter, po punohet se cila duhet të jetë pjesa e fundit që do të rregullohet në këtë sesion të merkatos. Joaquin Correa, pas 90′ në pankinë ndaj Monzas, ka filluar të marrë në konsideratë hipotezën e lamtumirës dhe të dëgjojë si ofertat që vijnë nga Spanja (ku kanë lëvizur dy klubet e Sevilla-s), ashtu edhe një nga Anglia (Bournemouth), për momentin zgjidhjet më të vlerësuara nga lojtari sesa hipoteza e Torinos.
Largimi i argjentinasit është thelbësor për të mbyllur një goditje që Marotta dhe Ausilio kanë tashmë në plan: Alexis Sanchez. Kiliani, i cili mbeti i lirë pas eksperiencës njëvjeçare në Marsejë, i ka gati valixhet për rikthimin në Milano dhe po pret vetëm dritën jeshile nga zikaltërit për të nënshkruar kontratën, e cila parashikon edhe një ulje të konsiderueshme të pagës.
Sanchez do të mbushë 35 vjeç, por ai e njeh mirë mjedisin, ka talent, përvojë ndërkombëtare dhe dëshirë për të vazhduar të luajë në Champions League dhe të luftojë për “Scudetton”.
Vitin e kaluar ai grumbulloi 44 paraqitje për Marseille, të pasuruara me 18 gola dhe 3 asistime, duke konfirmuar faktin se karriera e tij ende nuk ka hyrë në rrugëtimin e muzgut.
Inzaghi e sheh atë si njeriun ideal për të kompletuar sulmin dhe për të garantuar sasinë e golave që “Tucu” ka shpërndarë me pikatore në dy sezonet e fundit. Pak më shumë se një javë ka mbetur për të përfunduar dy marrëveshjet.
()