Ish-kryeministri Sali Berisha përmes një postimi në rrjetet sociale është shprehur se koncesioni i sterilizimit është vjedhja e dytë e shekullit, teksa e cilësoi atë si “tmerrësisht të dhimbshme”.
Berisha shkroi se ish-ministri Ilir Beqja është amnistuar nga “SPAK-u i partisë me urdhër të Edi Ramës”, teksa sipas tij ky i fundit ka firmosur hapjen e procedurës.
“Burazeri firmosi dhe i fali kompanisë së vet dhe muratorit Rrapaj aparaturën ultramoderne të sterilizimit të blerë 1.7 milionë euro”, shkruan më tej Berisha duke iu referuar ish-ministrit Ilir Beqaj.
“Vjedhja e dyte e shekullit, tmerrësisht e dhimbshme.
Miq, Ilir Beqja i amnistuari i SPAK-ut të Partisë, me urdhër të Edi Rames, firmosi me dorën e tij të zezë hapjen e procedurës, firmosi për dyfishin e pikëve për kompaninë e tij me Rrapajn, firmosi për vënien në krye të vlerësimit të ofertave kushon e tij të parë.
Byrazeri firmosi dhe i fali kompanisë së vet dhe muratorit Rrapaj aparaturën ultramoderne të sterilizimit të blerë 1.7 milionë euro. Ai i dhuroi me firmën e tij, një kat të spitalit të sapo ndërtuar dhe i fali me firmën e tij dhjetëra mijëra instrumente kirurgjikale, me të cilat kryheshin dhjetëra mijëra operacione, dhe së fundmi firmosi për të marrë falas nga shtetit edhe ujin, energjinë elektrike, për sterilizim.
Pas të gjitha këtyre akteve të këtij hajduti vrasës, kosto e sterilizimit u rrit me 80 herë dhe meqenëse spitalet nuk përballonin këtë kosto, Ministria urdhëroi që të shkurtohen me 1000 operacionet çdo muaj, duke kërcënuar jetën e mijëra e mijëra të sëmurëve. Megjithë këto akte kriminale, që kushtuan mijëra jetë, Beqja u amnistua vetëm e vetëm se ndante paratë me bosin e tij, Edi Rama i cili u shndërrua në mashtruesin publik, mbrojtësin më kryesor të kësaj afere të tmerrshme, që ju kushtoi shqiptarëve gjerë sot 76 milionë euro dhe mijëra jetë”, shkroi Berisha.