TIRANË
Nënkryetari i Partisë së Lirisë Petrit Vasili ka publikuar sot deklaratën e deputetit të PS-së Eduard Shalsi shumë vite më parë, një deklaratë që bëri xhiron e rrjetit, teksa deklaron se koncesionet janë vjedhja me lezet e Ramës, të cilit i doli boja dhe hajdutët sheshit.
Vasili thekson se për Ramën dhe hajdutët përqark tij koncesionet ishin vjedhja masive, që siguronte paratë, që u duheshin për blerjen e zgjedhjeve dhe kapjen e të gjitha pushteteve.
Sipas tij, fakti që nga 228 kontrata koncesionesh kontrollohen nga shteti vetëm 65, thotë gjithçka duke e cilësuar një emergjencë kombëtare dhe një rrezik për ekonominë dhe financat e vendit një situatë të tillë.
POSTIMI I PLOTË
Koncesionet…”vjedhja me lezet” e Ramës, që i doli boja dhe hajdutët sheshit!
Kur ky që shihni në këtë VIDEO tha këto fjalë, shumë syresh qeshën pa u thelluar në thelbin e tyre, që ishte projektimi i grabitjes së shekullit.
Por cunami i pandalshëm i koncesioneve, që filloi pas 2013 ishte prova e një vjedhje të paramenduar gjatë.
Rama e kishte një objektiv të panegociushëm këtë vjedhje monstruoze ndaj edhe refuzoi dhunshëm shqetësimet e mëdha të FMN, Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera financiare.
Për Ramën dhe hajdutët përqark tij koncesionet ishin vjedhja masive, që siguronte paratë, që u duheshin për blerjen e zgjedhjeve dhe kapjen e të gjitha pushteteve.
Edhe tani që flasim vjedhja e Ramës dhe Rilindjes me koncesionet vazhdon në mënyrë të pandërprerë duke krijuar një dëm shumë të rëndë ekonomik, që po e çon vendin drejt kolapsit.
Është shumë e qartë për çdo shqiptar që qëllimi i këtyre koncesioneve ka qenë vetëm grabitja pasi asnjë shërbim nuk është përmirësuar përkundrazi janë përkeqësuar.
Shteti qëllimisht nuk ka asnjë kontroll për koncesionet të cilat vidhen nga koncesionarët klientë të qeverisë pasi kjo ka qenë edhe qëllimi i përbashkët i tyre.
Fakti që nga 228 kontrata koncesionesh kontrollohen nga shteti vetëm 65, fakt i pranuar nga vetë Ministria e Financave, thotë gjithçka.
Pra të gjitha janë lënë në dorë të koncesionarëve që ata bëjnë si duan me paratë e taksave të shqiptarëve.
Një situatë e tillë përbën një emergjencë kombëtare dhe një rrezik të përmasave shumë të mëdha për ekonominë dhe financat e vendit.
SPAK-ut duhet të veprojë energjikisht dhe shumë shpejt për këtë situatë skandaloze, të kësaj vjedhjeje monstruoze të provuar me fakte e dokumente pa fund.