TIRANË
Kryeministri Edi Rama ka folur sot dhe për dixhitalizimin e shërbimeve nga Kadastra, gjë që ka sjellë problematika për shumë qytetarë, por edhe noterë.
Rama tha se sistemi funksionon, por se nuk i futesh dot mik. Sipas tij, ata që nuk mund të marrin shërbimin nuk dinë të aplikojnë.
Ai theksoi se noterët duhet ta mësojnë që s’mund të kalojnë nga asnjë rrugë tjetër përveç sistemit dhe se ata që janë brenda do ndahen natyrshëm shapi me sheqerin.
Rama u shpreh se dorëheqjet vazhdojnë dhe se i mjafton kjo gjë për të kuptuar se funksionon.
“Sa i përket Kadastrës, kjo është një tabelë e të dhënave të Kadastrës. Me blu aplikimet hyrëse, me portokalli përgjigjet. As nuk diskutohet që sistemi funksionon, nxjerr në kohë të dhëna, por jemi në fazën kur sistemi duhet nga njëra anë të mësohet nga ata që e përdorin dhe nga ana tjetër duhet të kapërcejë presionin negativ të atyre që kanë humbur pushtetin mbi Kadastrën, noterë, sekserë, buburreca brenda në Kadastër nuk kanë më pushtet mbi fatin e aplikimit të qytetarëve në Kadastër. Nga analizat e bëra, po ju jap vetëm një fakt që flet shumë, që 30% e aplikimeve të noterëve dhe noterët janë persona që nuk është se prekin kompjuterë për herë të parë, 30% bëjnë gabim. Sistemi ka një të keqe të madhe që nuk i futesh dot mik. O ta pranon, o nuk ta pranon. Nuk i futesh dot mik sistemit”, tha Rama.
Sipas tij, një e dhënë tjetër shumë e rëndësishme është që me sistemin e ri është bërë një operacion masiv i trajtimit të aplikimeve të mbetura.
“Do të thotë kthim përgjigje për prapambetjet. Prapambetjet për çdo drejtori ku pavarësisht punës së madhe që u bë për disa vite në raport me llahtarën që trashëguam, faktikisht rendi i punës ishte jo i drejtë. Sistemi nuk të lë. Sistemi thotë ka aplikuar i pari ky person, ky do ta marrë i pari përgjigjen. U bë një pastrim i madh i të prapambeturave dhe pastaj u fillua me praktikat korrente të procesit. Përpunim i aplikimeve të vjetra ka variuar sipas kapaciteteve, drejtorive, por e vërteta është sot që nga njëra anë, sistemi në vetvete, sistemi dixhital nuk ka probleme, por kultura e punës, njerëzit e mësuar ndryshe, çorientimi sepse shumë nga ata në Kadastër e nxirrnin muajin jo me rrogën, por me nderet që bënin krijoi ngërçin e tyre”, tha ai.
Po kështu Rama deklaroi se gjatë gushtit ka pasur rritje të aplikimeve.
“Nga ana tjetër kjo periudhë ka një gjë që e dimë shumë mirë të gjithë, vijnë njerëz shumë nga jashtë, të mësuar me sistemin e vjetër dhe numri i aplikimeve ka pasur një rritje shumë të madhe në gusht. Në një ditë, më 15 gusht ka pasur 32504 aplikime. Ndërkohë që me këtë sistem nuk ka fare rëndësi se ku je. Mund të aplikosh për titullin tënd të pronësisë dhe nga Amerika. Kështu që përmbledhja ime është shumë e thjeshtë. Është perfekt sot funksionimi? Aspak! Sepse duhet të axhustohet i gjithë funksionimi njerëzor. Noterët duhet ta mësojnë që s’mund të kalojnë nga asnjë rrugë tjetër përveç sistemit, duhet të mësojnë si bëhet aplikimi siç duhet. Ata që janë brenda do ndahen natyrshëm shapi me sheqerin. Kadastra do ketë rrjedhje të numrit të punonjësve ekzistues. Dorëheqjet vazhdojnë atje. Më mjaftojnë dorëheqjet për të kuptuar se funksionon. Ajo që është më rëndësishmja fare, që kur ka hyrë ky sistem deri tani transaksionet e zeza në raport me Kadastrën janë zero. Nuk ia del dot. Punonjësit kanë kode të caktuara, nuk e shohin dot njeri-tjetrin se çfarë bëhet. Sistemi i shpërndan aplikimet në territor dhe një punonjës në Libofshë merret me dosjen tënde. As nuk të njeh, as të gjen dot. Patjetër që ka plot raste që nuk funksionon, por nuk funksionon se nuk bëhet aplikimi siç duhet. Por sot periudha e pritjes, e përgjithshmja është brenda një kohe të arsyeshme”, deklaroi Rama.