SARANDË
Një 17-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht teksa ka qenë duke punuar në një lokal në Sarandë. 17-vjeçari Antonio Delilaj, i cili punonte si ndihmës kamerier është zënë poshtë nga ashensori i lokalit dhe gjetur vdekjen menjëherë.
Policia e Shtetit njoftoi zyrtarisht se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë për veprën penale ”Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin Lulëzim Allkushi, 43 vjeç, banues në Sarandë si dhe shpallën në kërkim shtetasin Spiro Iljadhi, 37 vjeç, banues në Sarandë.
Arrestimi i 43-vjeçarit dhe shpallja në kërkim e 37-vjeçarit u bë pasi:
Rreth orës 01:15 minuta të mëngjesit të sotëm, në lagjen “Nr. 1″, Sarandë, në lokalin në pronësi të shtetasit S. I., është këputur kavoja e ashensorit që përdorej kryesisht për furnizimin e lokalit, duke zënë poshtë shtetasin Antonio Delilaj, 17 vjeç, (ndihmës/kamarier në këtë lokal). Për pasojë, 17-vjeçari ka humbur jetën.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 43-vjeçari i arrestuar kishte montuar ashensorin e lokalit ndërsa 37-vjeçari i shpallur në kërkim është pronari i lokalit dhe vijon puna intensive për kapjen e tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” .