“Përdorin flamurin grek si kartë krediti”, Rama sërish intervistë për mediat greke: Beleri duhet të jetë i barabartë para ligjit, nuk mund të…

Kryeministri Edi Rama ka dhënë këtë pasdite një intervistë për një media greke, ERT. Ai tha se e vlerëson dhe respekton minoritetin grek në Shqipëri, por shtoi sërish se ka disa persona që flamurin grek e përdorin si kartë krediti.

Rama shtoi se Fredi Beleri është një qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe se duhet të jetë i barabartë përpara ligjit si çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë.

“Njëkohësisht duhet të përgjigjet përpara ligjit si çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe nuk mund të ketë dy drejtësi, një drejtësi për qytetarët shqiptarë me kombësi shqiptare dhe një tjetër për qytetarët shqiptarë me kombësi greke”, tha Rama.

Pjesë nga intervista:

-Zoti kryeministër, sipas gazetës Kathimerini ju u ofruat vetë që t’i jepni një intervistë kësaj gazete dhe kjo menjëherë pas postimi të madh tuajin në llogarinë tuaj në facebook, disa ditë pas asaj darkës informale që thirri kryeministri Mitsotakis me liderët e Ballkanit dhe mungesa juaj atje. Tani pranuat, dhe ju falënderoj për këtë intervistë televizive tek kanali ERT neës. Duket sikur keni dëshirë t’i thoni diçka mediave greke.

Kryeministri Edi Rama: Patjetër, sepse në momente si ky, kur ka një keqkuptim është e rëndësishme që të komunikohet dhe natyrisht është e rëndësishme që të dëgjohen të dyja kambanat, jo vetëm njëra. Kjo ishte arsyeja pse unë e kontaktova vetë gazetarin grek pasi pashë që çka kishte shkruar ishte vetëm jehona e një kambane dhe ai më dha mundësinë që të dëgjohet dhe jehona e një kambane tjetër.

-Kanë kaluar 80 vjet nga mbarimi i luftës së dytë botërore edhe janë nënshkruar disa traktate miqësie, janë rinovuar më saktë midis dy vendeve. Minoriteti grek në Shqipëri duket sikur trajtohet me një sy skeptik nga sistemi politik shqiptar. Dhe jemi në vitin 2023!

Kryeministri Edi Rama: Sipas meje, kjo është tërësisht e pavërtete në terrenin e fakteve. Ka 80 vite që ka mbaruar Lufta e Dytë Botërore dhe akoma sot Greqia ka në fuqi ligjin e luftës, gjë që është një arkaizëm i madh dhe gjë për të cilën ne jemi shumë të interesuar që ta shohim të largohet një herë e përgjithmonë nga rruga jonë e përbashkët. Ndërkohë që, unë besoj shumë tek miqësia, tek partneriteti strategjik dhe tek interesi i madh i përbashkët i yni, Shqipërisë dhe Greqisë për të forcuar sa më shumë këtë miqësi, ashtu sikundër besoj në faktin e thjeshtë që minoriteti grek në Shqipëri është një thesar i kulturës sonë të bashkëjetesës dhe një urë e pazëvendësueshme për ta ushqyer dhe për ta forcuar miqësinë mes të dy popujve, mes të dy shteteve dhe patjetër edhe mes dy qeverive, pavarësisht se kush qeveris në Tiranë dhe pavarësisht se kush qeveris në Athinë.

-Le të vijmë tek intervista juaj e fundit tek Kathimerini. Ju përdorët disa epitete, disa karakterizime të ashpra do të thoja për zotin Beleri, për të cilat ju vet thatë që jeni penduar që i thatë, veçse ka shumë nga ata që thonë, qe i përdoret qëllimisht për përfitime politike dhe u drejtuat me këto retorika paksa ekstreme ndaj një anëtari të minoritetit grek.

Kryeministri Edi Rama: Zotëria është një qytetar i Republikës së Shqipërisë, që duhet të jetë i barabartë përpara ligjit si çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, por njëkohësisht duhet të përgjigjet përpara ligjit si çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe nuk mund të ketë dy drejtësi, një drejtësi për qytetarët shqiptarë me kombësi shqiptare dhe një tjetër për qytetarët shqiptarë me kombësi greke. Ka vetëm një drejtësi dhe nëse kjo drejtësi nuk është e përsosur, nuk është e përsosur për të gjithë.

-Po, por mbetem pak tek ky fakt sepse juve ju jeni drejtuar dhe disa anëtarëve të tjerë të komunitetit grek në Shqipëri duke përdorur shprehjen “përdorin flamurin grek si kartë krediti”. A nuk do të fyhej një minoritar?

Kryeministri Edi Rama: Unë kam thënë që janë njerëz këta që i fryjnë këtyre erërave dhe që mezi presin që të hedhin benzinë në këtë zjarr, që përdorin flamurin grek si kartë krediti pa asnjë diskutim, por kam thënë gjithashtu që këta nuk janë atipikë në aspektin që ka dhe shqiptarë që e përdorin flamurin shqiptar si kartë krediti. Por ndërkohë që, kur vjen fjala te shqiptarët. Ata nuk mund të ankohen sikur janë minoritarë që po iu shkelen të drejtat dhe po zhvishen nga pronat e tyre. Këta të tjerët e bëjnë këtë dhe të them të drejtën duhet të them e bëjnë me sukses, përderisa arrijnë ta manipulojnë Athinën zyrtare dhe arrijnë të vënë në dispozicion të qëllimeve të tyre jo dhe aq fisnike Athinën zyrtare.

Arena e Lajmit


“Përdorin flamurin grek si kartë krediti”, Rama sërish intervistë për mediat greke: Beleri duhet të jetë i barabartë para ligjit, nuk mund të…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook