TIRANË
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se kryeministri Edi Rama me deklaratat për koncesionin e sterilizimit faktoi se ai dhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilri Beqja janë pronarët realë të vjedhjes së dytë të shekullit.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se sterilizimin i ka kushtuar shqiptarëve deri sot 79 mln euro dhe ka rritur çmimin e sterilizimit, duke e bërë këtë proces 4 herë më të kushtueshëm se në Gjermani.
Sipas tij, Rama mori një akt të hapur presioni ndaj gjykatës, e cila pasi njohu dosjen kërkoi anulimin e kontratës si vepër e mirëfilltë penale.
“Edi Rama sapo zbriti dje nga autobusi i BE-së apo aeroplani rus, nuk u mor vesh se cilin preferonte, faktoi në mënyrë përfundimtare se ai dhe Beqja i tij janë pronarët realë, të vjedhjes së dytë shekullit, apo inceneratorit të shëndetësisë, kurse Rrapaj dhe stërrapaj janë thjeshtë pronarët në letër, apo Zotot dhe Mërtirët e aferës.
Edi Rama provoi dje se ai me Beqjen e tij janë pronarët realë të vjedhjes së dytë të shekullit, sepse ai pas amnistimit të Beqjes nga skapi i partisë, në një akt të pastër kriminal, rendi dje të mbrojë me inskenime dhe dëshmitarë të rremë, dhe statistika false, veprën e tij të rëndë penale, sterilizimin që ju ka kushtuar shqiptarëve gjer sot 79 mln euro dhe që ka rritur me 80 herë çmimin e sterilizimit për njësi në vend dhe e ka bërë këtë proces 4 herë më të kushtueshëm se sa në Gjermani”, deklaroi Berisha.
Ai tha më tej se Edi Rama doli dje si krimineli që kthehet në vendin e krimit, duke faktuar se sterilizimi është biznesi i tij dhe Beqjat sepse ai dje mbrojti aferën e tmerrshme korruptive për të cilën, për shkak të kostos stratosferike u privuan nga ndërhyrjet kirurgjikale të domosdoshme, çdo muaj, 1 mijë të sëmurë dhe ky privim me qindra, mos mijëra raste pati pasoja fatale për të sëmurët.
“Edi Rama dëshmoi dje se sterilizimi është vjedhja e dytë e tij e shekullit dhe është biznes i tij dhe Beqjes, kurse muratori i tyre Rrapaj me investalin e tij me kapital 1 mijë euro është thjeshtë Zoto i radhës.
Edi Rama mori dje publikisht një akt flagrant të hapur presioni ndaj gjykatës, e cila me shumë të drejtë pasi ka njohur dosjen ka kërkuar anulimin e kontratës si akt fund e krye korruptiv, si vepër e mirëfilltë penale.
Edi Rama dje me sulmin ndaj gjykatës kishte si mesazh të prerë; mjerë ai që guxon të prekë pronën time, për të cilën ai vetë është i aftë të bëjë çdo gjë që ta amnistojë, siç amnistoi ortakun e tij Ilir Beqja.
Edi Rama dëshmoi dje se në mbrojtje të biznesit të tij, nuk njeh ligj, kushtetutë, as edhe institucione kushtetuese të vendit siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucion që ka denoncuar 2 vite më parë kontratën si korruptive dhe ka kërkuar rinegocimin e plotë të saj.
Edi Rama dje hoqi çdo maskë dhe me dëshmitarë dhe shifra të rreme mbrojti kontratën që në themelin e saj bazohet në konfliktin e interesit dhe mashtrimin me pasoja gjer sot 79 mln euro nga ai dhe Beqja i tij, të sëmurëve shqiptarë.”, deklaroi Berisha.
“Kontrata e sterilizimit është e pavlefshme për shkak të konfliktit të interesit, kostoja 80 herë më e lartë se në shtet”
Sipas Berishës, për të realizuar vjedhjen e tij me Edi Ramën, Ilir Beqaj, emëroi me firmën e tij, në kundërshtim flagrant me ligjin e konfliktit të interesit, Genc Burazerin, kushëririn e parë, në komisionin e koncesionit.
“Pas kësaj, Ilir Beqaj, kushëririn e tij të parë, e caktoi për të bërë studimin e fizibilitetit të koncesionit.
Ligji shqiptar kërkon që ato të aplikohen kur ato ulin koston e shërbimit në sektorin publik. Burazeri i Beqajt, nxori me shifra false, se dhënia me koncesion e këtij shërbimi, ulte kostot, kur në të vërtetë ato rriteshin fiks me 80 herë.
Rama dhe Beqaj përdorën konfliktin e interesit për të firmosur kontratën e sterilizimit.
Edi Rama dje, në përpjekje in ekstremis, i rrek të mbronte biznesin e tij të ngritur në një kontratë të bazuar në konfliktin e interesit.
Por çfarë thonë ligjet tona në këtë rast? Referuar ligjit të koncesionit dhe prokurimit publik, pasi në këtë rast është bërë ndërthurja e të dyjave, Genc Burazeri ka pasur detyrë ligjore të nënshkruajë dy deklarata. Deklarata e para e konfliktit të interesit se ai nuk është asnjë person të afërt si drejtues në ministrinë e linjës. Deklarata e dytë ka të bëjë me konfliktin e interesit në shoqërinë në fjalë.
Në këtë çështje ndahen dy raste. Që ky person nuk ka nënshkruar deklaratën e parë, çka do të sillte anulimin automatik të koncesionit. Rasti i dytë është se ai e ka nënshkruar këtë deklaratë dhe ka mashtruar shtetin, pasi kushëriri i tij ishte ministri i linjës’, tha Berisha.
Ai theksoi se në Kodin e Procedurës Administrative, i cili njëlloj si Kushtetuta dhe ligjet e tjera të vendit, nuk ekziston për Edi Ramën, parashikohet se akti administrativ është i pavlefshëm kur bie në kundërshtim të hapur dhe flagrant me një dispozitë të këtij kodi.
“Pra, procedura e ndjekur është fiktive dhe antiligjore dhe sjell si pasojë një kontratë të pavlefshme.
Vjedhja është e provuar, kostoja është 80 herë më e lartë se ajo në shtet.
Në këto kushte, kontrata koncesionare konsiderohet se nuk ekziston pasi është zhvilluar dhe firmosur në kushtet e konfliktit të interesit. Ndaj dhe gjykatësi, me shumë të drejtë ka kërkuar anulimin e kontratës korruptive të sterilizimit”, u shpreh Berisha.