Policia e Tiranës ka sekuestruar një sasi kokaine, ndërsa në pranga kanë rënë 3 persona. Burime zyrtare bënë me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Three stars” pas hekurave ranë shtetasit Robert Domi, Genis Mustafa dhe Andrea Dema.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Three stars”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Vihen në pranga 3 shtetas të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, furnizonin me lëndë narkotike kokainë, disa rrjete shpërndarësish. Sekuestrohen 1 kg e 52 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 4 aparate celulare, 1400 euro dhe 78 900 lekë.
Specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Three stars”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– R. D., 30 vjeç dhe A. D., 24 vjeç, banues në Shijak; G. M., 27 vjeç, banues në Tiranë.
Në rrugën “Vangjush Furrxhi”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin me drejtues shtetasin G. M. dhe pasagjerë shtetasit A. D. dhe R. D. Gjatë kontrollit në automjet është gjetur një pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë 1 kg e 52 gramë. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë dhe më pas disa rrjete shpërndarësish, në rrugën “Myslym Shyri”, në Rrugën e Durrësit dhe në zonën e 21-Dhjetorit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 kg e 52 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 4 aparate celulare, 1400 euro dhe 78 900 lekë. Materialet proceduale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.