Avokati Spartak Ngjela, i ftuar në studion e Neës24 ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit të drejtësisë dhe veprimet e SPAK.
Ngjela komentoi rritjen e sigurisë për kryeprokurorin e SPAK, Altin Dumani, duke thënë se kjo tregon se shërbimet amerikane ose shqiptare mund të kenë konstatuar një rrezik ndaj tij.
Ai u shpreh se kjo tregon po ashtu se do ketë goditje edhe më të mëdha nga SPAK në drejtim të krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat sipas tij do vijnë si majtas edhe djathtas.
“Kreu i SPAK nuk mund të ketë frikë, por shërbimet mund të kenë konstatuar diçka rreth tij dhe kanë rritur mbrojtjen. Kemi të dhëna se do hetohen dosjet e mëdha të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ka mundësi që të dhënat të jenë nga shërbimet amerikane, por kjo tregon se SPAK po punon.
Do ketë goditje më të mëdha sipas meje, më parë nuk ka pasur masa të tilla. Kërkesa nuk ka qenë e Dumanit, por e shërbimeve. Do ngjitet rangu i goditjeve, qoftë majtas apo djathtas. Majtas ka shkuar deri te ish-zëvendës kryeministri, me kryeministrin nuk merren dot, të paktën për tani.
Nëse do vinin goditjet nga e djathta në fillim, do thoshin se goditjet po i bën Rama. Rama nuk i del kundër drejtësisë, e ka natyrë. Fakti që kundërshtarët nuk e duan, do të thotë se ka qenë prokuror i pa korruptuar. Çdo njeri i lidhur me krimin duhet të ketë frikë nga ata, një ndër ta edhe Dumani. Blinken ka thënë vetë se SHBA drejton SPAK-un”, u shpreh ai.