Prestige MFC ka mësuar pasditen e sotme emrat e kundërshtarëve me të cilët do të ndeshet në fazën e grupeve në Champions-in e minifutbollit, kompeticion që do të zhvillohet nga data 6 deri më 9 shtator në Oradea të Rumanisë.
Kampionët e Shqipërisë janë shortuar në Grupin C së bashku me skuadrën Birbasha nga Azerbajxhani, me moldavët e Volta Chisinau dhe grekët Magufana FC Athinë.
Me asnjë prej këtyre ekipeve Prestige nuk ka precedentë në eksperiencat e mëparshme në Champions apo në turnetë e ndryshme ndërkombëtarë ku ka marrë pjesë. Gjithsesi bëhet fjalë për skuadra që vijnë nga shtete me traditë në minifutboll, kështu që priten ndeshje tepër interesante.
Në Championsin 2023 të minifutbollit që do të mbahet në Rumani marrin pjesë 26 skuadra të ndara në 7 grupe, ndërsa vendet e para dhe të dyta, si dhe 2 të tretat më të mira kualifikohen për në raundin 1/16.
Prestige vjen në këtë kompeticion me shumë ambicie dhe synon që ti shkojë deri në fund, pse jo për të bërë të tijin edhe trofeun. Prestige është skuadra më e suksesshme shqiptare në arenën ndërkombëtare të minifutbollit, teksa në vitin 2019 mbërrinte deri në gjysmëfinalet e Champions-it, për tu ndalur vetëm nga ruleta e penalltive.
Prej disa javësh ekipi i drejtuar nga trajneri Eldiano Topi vijon përgatitjet për Champions-in, ndërsa si zakonisht edhe në këtë edicion skuadra do të ketë edhe mbështetjen e fuqishme nga presidenti Fatmir Hysenbelliu, i cili është njëkohësisht edhe një prej lojtarëve kryesorë të ekipit.
GRUPI C
BIRBASHA (AZERBAJXHAN)
PRESTIGE (SHQIPËRI)
VOLTA CHISINAU (MOLDAVI)
MAGUFANA FC ATHENS (GREQI)