Një 25-vjeçar ka rënë në prangat e policisë për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin Ronald Bebja.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, operacioni policor i koduar “Bashkëpunimi”. Dhunonte në mënyrë të vazhdueshme bashkëshorten e tij, kapet dhe vihet në pranga 25-vjeçari. Gjatë kontrollit në banesën tjetër të këtij shtetasi, në Burrel, u gjetën dhe u sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, 1 pushkë sportive dhe 1 armë gjahu.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas informacioneve të siguruara për një shtetas që ushtronte dhunë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, si dhe mbante armë zjarri në banesë, në Burrel, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Bashkëpunimi”.
Si rezultat, u bë arrestimi i shtetasit R. B., 25 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. 25-vjeçari dyshohet se ka ushtruar në mënyrë të vazhdueshme dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Gjatë kontrollit në banesën tjetër të këtij shtetasi, në fshatin Fullqet, Burrel, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë, 1 pushkë sportive dhe 1 armë gjahu.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.