Finalizohet operacioni policor i koduar “Pararoja 3”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit. Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, Forca e Posaçme Operacionale dhe Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Vihen në pranga 4 shtetas që u kapën në flagrancë duke transportuar 7 emigrantë, kundrejt pagesës 600 euro për person, me qëllim që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. Shpallet në kërkim organizatori i kësaj veprimtarie kriminale. Procedohen penalisht edhe 7 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit. Sekuestrohen 2 automjete dhe 4 aparate celulare. Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, dhe shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore të ndjekur me metoda speciale të hetimit, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, organizuan dhe finalizuan operacionin “Pararoja 3”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve R. D., 27 vjeç, E. Gj., 24 vjeç, A. K., 27 vjeç, dhe M. B., 46 vjeç, të katërt banues në Tiranë. Gjithashtu, u shpall në kërkim organizatori i kësaj veprimtarie kriminale, shtetasi D. Q., 38 vjeç. Shtetasit e arrestuar janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Vorë, duke transportuar me 2 automjete, 7 emigrantë, të cilëve, kundrejt pagesës 600 euro për person, iu kishin premtuar transportimin nga Konispoli në drejtim të Shkodrës dhe Kukësit, me qëllim kalimin e tyre në pikën kufitare me Malin e Zi dhe Kosovën, me destinacion final vendet e BE-së.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi R. D., ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 7 emigrantët e paligjshëm, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Vijon puna për kapjen e organizatorit të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.