Kualifikimi i Çekisë në Euro 2024 kalon edhe nga ndeshja e 7 shtatorit në Pragë ndaj Shqipërisë, takim ky që po pritet me interes të madh nga të gjithë. Një nga elementët më të mirë të Kombëtares çeke është kapiteni Tomas Soucek, i cili ka lënë mbrapa dëmtimin dhe është gati për sfidën ndaj kuqezinjve në “Fortuna Arena”.
Tomáš, në çfarë forme keni ardhur nga Anglia? Si ndiheni pas dëmtimi të fundit?
Më duhet të them se lëndimi ishte i pakëndshëm, ishte një goditje e fortë. Kam përjetuar mjaft dëmtime, por ky ishte i pakëndshëm.
Por rikuperimi shkoi mirë, ndihem në formë dhe mezi po e pres ndeshjen me Shqipërinë. Është e rëndësishme për ne dhe besoj se mund ta përballojmë.
Që kur i jeni rikthyer stërvitjes në kapacitet të plotë?
FA angleze ka rregulla. Kisha disa ditë pushim. Më pas u përgatita fillimisht pa kontakt me futbollistët e tjerë.
Dy ditë isha me familjen, ditën e tretë dhe të katërt munda të bëja një xhiro me biçikletë, të ushtrohesha pak. Në ditën e pestë, të gjashtë dhe të shtatë, nisa të vrapoja. Ka shkuar mirë gjithçka.
Si e shihni kundërshtarin tuaj?
Mendoj se është një ekip shumë i mirë. Unë do t’i renditja Shqipërinë dhe Poloninë në pozicione të ngjashme. Ata kanë shumë individualitete. Si në sulm ashtu edhe mbrojtje ndihet soliditeti si ekip. Sigurisht që do të jetë një ndeshje e vështirë për ne dhe një kundërshtar sfidues.
A mund të konsiderohet ndeshje kyçe për kualifikimin?
Nëse e krahasoj sërish me Poloninë, është një ndeshje mjaft e rëndësishme. Sigurisht që është një nga ndeshjet kyçe për ne. Kemi shtatë pikë, jemi në një pozicion të mirë, por duam të fitojmë që të ndihemi edhe më komodë. Të gjithë duam t’ia dalim.
Ndeshja e fundit që keni luajtur kundër Shqipërisë ka qenë dy vite më parë, kur skuadra çeke fitoi 3-1 në një ndeshje përgatitore para Europianit. A e bazuat përgatitjen tuaj edhe duke iu referuar kësaj ndeshjeje?
Më kujtohet ky takim, por nuk e di sa lojtarë nga tanët dhe të tyre janë ende, shumëçka ka ndryshuar. Ne me siguri do të donim të njëjtin rezultat përfundimtar.
()