Një rast skandaloz tjetërsimi prone është kallzuar prej disa muajsh në Prokurorinë e Sarandës. Ish- deputeti i PD Gani Hoxhai, rezulton të jetë bërë pronar i “ligjshëm” i një objekti 636 m2 dhe një trualli 1000 m2 në hyrje të qytetit të Sarandës, pikërisht të pasurisë së regjistruar në emër të tij me nr 27/528.
Deri këtu çdo gjë duket normale, por realisht trualli ku është ngritur ky objekt, jo vetëm që dihet publikisht se zotërohet nga familja Sejko nga Saranda, por ajo rezulton e regjistruar edhe në ASHK Sarandë.
Trualli, në fakt, prej vitesh i është dhënë me qera një kompanie shitjesh materiale hidrosanitare, ndërsa brenda tij rezulton edhe objekti 3 katësh, i cili tashmë i është hipotekuar ish-deputetit G. H brenda pronës së familjes Sejko. Para disa muajsh, këta të fundit kanë kallzuar në Prokurorinë e Sarandës këtë akt të paprecedentë. Bëhet fjalë për procedura të njëpasnjëshme të kryera në fillim të vitit 2023 si lëshim leje legalizimi dhe më pas pajisje me çertifikatë pronësie, të cilat në një rast, sipas burimeve konfidenciale, janë kryer në një kohë rekord, ndryshe nga raste të tjera analoge.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se nga ana e Prokurorisë është regjistruar procedimi penal, por veprimet hetimore në drejtim të ASHK Sarandë janë ende minimale duke zvarritur hetimin e kësaj dosje. Nga ana institucionit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme është tentuar “mbulimi” i gabimit duke vendosur masë kufizimi mbi pronën, por gjithë praktika, gjithnjë sipas burimeve, ndodhet në zyrat e Prokurorisë, e sekuestruar.