Analisti Fatos Lubonja, përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në News24 ka folur në lidhje me situatën e takimit të deputetëve demokratë së fundmi me në krye Sali Berishën dhe Gazment Bardhin.
Lubonja u shpreh se takimi mes palëve i shërben si Berishës ashtu edhe Bardhit, ndërsa shtoi se “copat e PD-së” duhet të gjejnë një formë komunikimi mes tyre.
Sipas tij takimi mes palëve është një opozitë kundër Lulzim Bashës, duke lënë këtë të fundit në minorancë, edhe pse tha se me numrat që ka, Basha mund të shkaktojë dëme.
“Copat e PD-së duhet të gjejnë një formë komunikimi mes tyre dhe të bëjnë një rezistencë. Kjo është për mua prioritare. Në Shqipëri mbizotërojnë interesat personale mbi ato të shoqërisë, ndaj kjo duhet parë si një çështje interesash.
Takimi u shërben të dyve, por përtej Bardhit dhe Berishës duhet t’u shërbejë edhe shqiptarëve. Për mendimin tim duhet të kapërcejnë kompleksin ndaj amerikanëve, sepse gjithë loja është bërë për non-gratën e Berishës. Politika e këtij grupi duhet të ishte e tillë që të bëhet një opozitë politikave të ambasadës amerikane në Shqipëri, duke shkatërruar opozitën.
Takimi mes Berishës dhe Bardhit është kundër Bashës duke e lënë këtë të fundit në minorancë. Qëndrimi i tij është i paepur për të qëndruar dhe mund të bëjë dëm me numrat që ka. Basha është një zgjatim i mbetjeve të PD që mbetën në parlament dhe votuan ligjet e Ramës. Ai me dashje apo jo mbahet në këmbë nga Rama. Këta që u bashkuan treguan fleksibilitet”, u shpreh ai.