Vlora u trondit mbrëmë nga një atentat me armë zjarri, ku një 41-vjeçar mbeti i vrarë. Viktimë mbeti Laert Keka, i cili rezulton me gjeneralitet të ndryshuar (Leartiad Lekaj). Ngjarja e rëndë kriminale ndodhi pranë kishës Ortodokse. Gazetari Enrik Mehmeti raporton për se në aksin ‘Kotë –Sevaster’, është gjetur 1 mjet tip ‘Audi’ duke u djegur, bashkë me një kallashnikov brenda, ndërsa dyshohet se vrasja mund të jetë kryer për motive hakmarrjeje.
Shënjestra ka qenë duke udhëtuar me motor, kur është qëlluar me armë zjarri nga një person i maskuar. Nga hetimet, rezulton se autori i maskuar ka zbritur nga një makinë ‘Audi A6’ me ngjyrë të errët me targa italiane dhe ka qëlluar në drejtim të 41-vjeçarit. Sakaq, mbi 28 gëzhoja u gjendën në vendngjarje.
Viktima nuk ishte i panjohur për drejtësinë, pasi më herët në dhjetor të vitit 2005, ai ishte marrë si i pandehur për kryerjen e veprës penale të vjedhjes me pasojë vdekjen, të kryer në bashkëpunim me shtetasin Fjodor Mezyraj.
Informacion paraprak
Rreth orës 21:50, në lagjen “28-Nëntori”, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi L. K., 41 vjeç. Nga kontrolli i zonës, në aksin rrugor “Kotë- Sevaster”, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një automjet tip “Audi”, duke u djegur.
Janë ngritur menjëherë pika kontrolli në hyrje/daljet e qytetit të Vlorës dhe në akset “Vlorë-Fier”, “Vlorë-Tepelenë” dhe “Vlorë-Himarë”. Gjithashtu, shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e prokurorit, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
()