Një Shqipëri jo normale, një ekipit më shumë potencial, me shumë klas, që nuk shënon gola normal, por perla. Nuk ka më histori të tipit, “luajtëm mirë, por nuk ishim me fat”. Nuk ka më histori, ku biem në fund, kjo Shqipëri e ndërtuar nga Sylvinho nuk i lë asgjë rastësisë, nuk qëndron pas, në pritje të fatit, nuk dorëzohet në asnjë moment, por luan futboll me kokën lart, duke shfrytëzuar në maksimum çdo detaj të një sfide, për më tepër, një ekip shumë i bashkuar, me shumë zemër, dhe me lojtarë që mund të zgjidhin një ndeshje në çdo momente.
Ndaj Polonisë, Shqipëria tregoi të gjithë vlerat, thyen një tabu shumë të madhe, duke mposhtur Lewandowskin me shokë, me lojë dhe rezultat. Kjo ishte një sfidë ku kuqezinjtë nuk i lejuan asgjë kundërshtarit, vetëm një goditje në kuadrat, ndërsa magjia e Jasir Asanit bëri që 22 mijë tifozë në stadium, dhe miliona në të gjithë botën, të shpërthenin në festë.
Luajti në mënyrë pefekte edhe ndeshjen e tij nga pankina, Sylvinho. Lëvizja e tij në minutën e 62-të, kur uli në stol Cikalleshin për Mirlind Dakun rezultoi një “shah mat” ndaj Santos. Një prekje, një rast, një gol për Dakun, ndërsa lotët dhe festa e bënë dhe më emocionuese.
Më në fund, Shqipëria theu një tabu të madhe, jo vetëm mposhtëm për herë të parë pas 11 ndeshjesh Poloninë, por ajo që është më e rëndësishmja, tani Shqipëria ka një ekip që bind, të gjithë tani besojnë te “Euro2024”, për më tepër që këtij grupi priten t’i shtohen edhe elementë të tjerë si Broja e Kumbulla, që vetëm mund të përmirësojnë akoma më shumë një grup fantastik.
()