Me 10 pikë në 5 ndeshje, Shqipëria kryeson Grupi E, ky është një fakt që shumë pak veta e imagjinonin në fillim kur u hodh shorti, aq më tepër që jemi plus 4 në raport me Poloninë, me ata që shiheshin si kokë grupi. Ekipi i Sylvinho-s mbylli xhiron me 5 me 1 humbje, 1 barazim dhe 3 fitore, 10 gola të shënuar 3 të pësuar. Sylvinho ka në dispozicion sulmin më të mirë të këtij grupi, ndërsa ka pësuar vetëm një gol më shumë se Republika Çeke.
Në letër tani, por dhe në fushë, Çekia është rivali më i madh i Shqipërisë. Nëse sfida ndaj Polonisë, ishte një sfidë jetike ku tre pikët do të na dërgon në këtë nivel, në krye të grupit dhe një hap larg kualifikimit, ky objektiv pritet të vendoset përfundimisht në “Air Albania” me 12 tetor, teksa presin Republikën Çeke. Është thuajse e pamundur që në këtë situatë ku jemi të rrezikojmë pjesëmarrjen në “Euro2024”.
Sigurisht përpara janë dhe tre finale, ndërsa një rol përcaktues në këtë grup ka edhe Moldavia teksa renditen në vendin e tretë me 8 pikë, po aq sa Çekia. Më 12 tetor, në Tiranë, përballë Çekisë, Shqipëria luan për të dy rezultatet, mjafton të mos humbasim, ndërsa më pas më 17 nëntor luajmë në transfertë përballë Moldavisë dhe e mbyllim me Ishujt Faroe në Tiranë me 20 nëntor. Në këto kualifikuese, Shqipëria ka dy bonuse të mëdha, e para, fitorja ndaj Polonisë bën që nëse dy ekipet e mbyllin me pikë të barabarta grupin, kualifikohet Shqipëria pasi i ka marrë 4 pikë në dy përballje.
Një tjetër detaj në favor të Shqipërisë është se Polonia dhe Republika Çeke do të përballen ndërmjet tyre me 17 nëntor. Nëse nuk dëshirojmë të kthejmë kokën pas, të mos bëjmë llogari me rivalët, Shqipërisë i duhen edhe 5 pikë nga 9 të mundshme për të siguruar një biletë për në Gjermani.
()